*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani"!
Asnjë nga kompanitë nuk ofrojnë sigurime shëndetësore për personat mbi moshën 65 vjeçe. Me të dalë në pension, kontrata nuk u është vazhduar as atyre që, në kuadër të kontratave grupore, kanë qenë të siguruar gjatë kohës sa kanë qenë në marrëdhënie pune. Avokati i Popullit e ka gjykuar praktikë diskriminuese këtë, dhe i ka dhënë rekomandime BQK-së në raport me kompanitë e sigurimeve. Por, veprimet kanë munguar
Muhamet Qyqalla ka dy vjet prej kur ka dalë në pension. Në dy dekadat e fundit të punës në Korporatën Energjetike të Kosovës, ai pati edhe sigurim shëndetësor.
Por, meqë kontrata ishte grupore dhe e lidhur nga kompania, pas daljes në pension dhe ndërprerjes së marrëdhënies së punës, atij më nuk iu mundësua ta lidhë kontratën individuale.
“Tash nuk kam sigurim. Jemi pa sigurim, jo vetëm unë por ka edhe shumë anëtarë të tjerë që vijnë këtu që kanë punu sikur unë dhe nuk kanë sigurim”, thotë Qyqalla. “Tash kurrgjë hiç. Kemi mbetur pa asgjë”.
Në situatë të njëjtë ndodhen edhe pensionistët e tjerë, meqë asnjë nga kompanitë nuk ofrojnë sigurime shëndetësore për personat mbi moshën 65 vjeçe.
Qyqalla aktualisht është drejtor i Shoqatës së pensionistëve të invalidëve të punës. Ai kërkon nga institucionet që të marrin masa kundër këtij refuzimi në mënyrë që ky shërbim t’u mundësohet edhe pensionistëve.
“Duhet me pasë sigurim. Është i obliguar shteti, qeveria ose kompanitë çka janë të sigurimeve me e gjetë një mënyrë, një memorandum, një marrëveshje bashkëpunimi që me pasë një bashkëpunim për këtë kategori, e cila është e veçantë”, thotë ai. “Sigurim nuk kanë, pensionistë janë të sëmurë, ka diagnoza të ndryshme, është edhe mosha, janë invalidë të punës, prandaj janë shumë në gjendje të rëndë, nuk kujdeset për ta kurrkush”
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, thotë se refuzimi i kompanive të sigurimeve për të lidhur kontrata me personat mbi 65 vjet, përbën diskriminim.
“Kemi hetuar 9 kompani të sigurimeve që ofrojnë shërbime të kësaj natyre dhe të 9-tat kanë rezultuar që nuk ofrojnë sigurime për personat mbi moshën 65 vjeçe. Kemi pa edhe vendet në rajon, kemi pa që në këto vende ofrohet ky shërbim dhe përfundimisht kemi ardhë në konstatim që kjo situatë paraqet diskriminim të drejtpërdrejtë për personat mbi moshën 65 vjeç për shkak të moshës dhe për ta sanuar ose për ta rivendosur këtë të drejtë të cenueshme dhe këtë pabarazi shoqërore me kategoritë e personave mbi 65 vjeç, i kemi rekomanduar BQK-së që ta harmonizojë legjislacionin, kriteret dhe kushtet për kompanitë e sigurimeve për ofrimin e sigurimeve shëndetësore”, ka thënë Qelaj.
Në Bankën Qendrore nuk i ofruan përgjigje KOHËS, përkitazi me veprimet e marra pas rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
Pa përgjigje kanë mbetur edhe pyetjet e adresuara në kompani të sigurimeve.
Sistemi publik ofron shërbime shëndetësore falas për pensionistët, por atyre nuk u mbulohet kostoja e medikamenteve që nuk ndodhen në listën e barnave esenciale. Po kështu, as kostoja e shërbimeve që marrin në klinika private.
Në Lidhjen e Pensionistëve kërkuan që autoritetet ta gjejnë formulën e cila u siguron personave mbi 65 vjeç shërbime shëndetësore falas edhe në sektorin privat.
“Të bëhet sigurimi shëndetësor privato-publik që domethënë pensionisti i cili do të shërohet, do të shkojë te mjeku adekuat edhe mos të pret në institucione shtetërore. Ai shkon për t’u shëru nga një sëmundje kronike që e ka të veten dhe kur shkon aty në guzhmë, merr edhe nja dy-tri sëmundje të tjera, nuk mund të pres dhe alivanoset. Ka disa probleme të tjera përcjellëse, që nuk është mirë për pensionistin me pritë në institucione. Që domethënë, t’i mundësohet edhe në ordinanca private t’i kryejë shërbimet edhe të jetë më praktike”, ka thënë Sherif Kastrati, sekretar i Lidhjes së Pensionistëve.
Qytetarë mbi moshën 65 vjeç janë ankuar edhe për një problem tjetër, që lidhet me sigurimet shëndetësore. Disa kompani ofrojnë çmime më të larta për ta, kur lëshojnë sigurime afatshkurtra për udhëtim jashtë vendit.