Shteti ka shpërfillur deri tash kërkesën ligjore sipas së cilës çdo vit duhet rritur pensionet për aq sa është shkalla e inflacionit. Pas kësaj pensionistët kanë nisur të bëjnë padi e përfaqësues të shoqatës që ata i përfaqëson paralajmëruan edhe padi kolektive
Pensionistët ankohen se shteti nuk po e zbaton ligjin, që parasheh për ta rritje të ardhurash mujore për aq sa është përqindja e inflacionit.
Ata thonë se shtrenjtimin më së vështiri është duke e përballuar kategoria që merr gjithsej 100 euro në muaj.
“Në vitin 2022 inflacioni ka qenë 11.6 për qind. Por të ishte rritur pensioni për 11.6 për qind ne do ta kishim një pension pak më të mirë. Kështu që 100 euro që ia jep një pensionisti është sikur me ia dhënë një ‘bonbone’. Çka kryen punë me 100 euro. Mashtrim. Ne pse jemi pleq nuk mashtrohemi kollaj, andaj e duam pensionin mujor që mund të jetojmë një jetë normale”, ka thënë pensionisti Asllan Asllani.
E pensionisti Fazli Aliu ka theksuar se është përgjegjësi e qeverisë që varësisht nga rritja e çmimeve të rrisë edhe pensionet.
“Na i kanë dhënë nga 100 euro, por ajo është hajgare. Mua barna më shkojnë në muaj 100 euro, nuk e ke asnjë ilaç pa 5 apo 6 euro”, ka deklaruar Aliu.
Ligji për skemat pensionale kërkon që harmonizimi i pensioneve me koston e jetesës të bëhet një herë në vit, duke rritur shumën e pensionit që duhet paguar me të njëjtën përqindje bazuar në Indeksin e Kostos së Jetesës të vitit paraprak.
Në Ministrinë e Financave nuk treguan arsyet e mospërmbushjes së kërkesave ligjore, përkitazi me rritjen e pensioneve konform shkallës së inflacionit.
E, në Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës treguan se në mungesë të përgjigjeve nga institucionet shteti tani do të paditet.
“Ne tani kemi filluar procedurën e padisë në mënyrë individuale, por do të bëjmë edhe në mënyrë kolektive. Unë si institucion e kam për obligim që të avokoj për të drejtat e pensionistëve, andaj në emër të shoqatës do të bëj padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë që ta respektojnë këtë ligj”, është shprehur Njazi Gashi, kryetar i Pensionistëve të Kosovës.
Në Kosovë jepen pensionet bazike të moshës në vlerë 100 euro dhe pensionet kontributpaguese që sillen rreth 200 euro.