Arbëri

Pensionistët kërkojnë rritje të pensionit varësisht prej inflacionit

Sekretari i organizatës komunale të pensionistëve në Prishtinë, Asllan Asllani, ka thënë se rritja e bërë nga Qeveria nuk e mbulon rritjen e çmimeve. Më këtë, sipas tij, as kjo qeveri e as ato para saj nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor. “Pensionet që jemi duke i marrë ne, si ne kontributpaguesit, si ata që po u thonë pension bazë, nuk mjaftojnë për të jetuar. Ato janë lëmoshë. Nuk ka mundësi që të jetohet me një pension që i thonë këta pension. Është lëmoshë që i jepet një fukaraje”, është shprehur Asllani

Pensionistë e përfaqësues të tyre kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që rritja e pensioneve të bëhet ashtu siç e parasheh Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti. Bazuar në këtë ligj, pensioni duhet të përcaktohet varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual. Varësisht prej këtyre faktorëve, në fund të çdo viti, Qeveria, me vendim të veçantë, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj.

“Harmonizimi i pensioneve me koston e jetesës do të bëhet një herë në vit, duke rritur shumën e pensionit që duhet paguar me të njëjtën përqindje bazuar në indeksin e kostos së jetesës të vitit paraprak”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 14 të këtij ligji.

Por në Kosovë, kjo gjë në të shumtën e herëve nuk është bërë. Pensionet kontributpaguese nuk janë rritur që nga shkurti i vitit 2019. Ato nuk janë rishikuar e as përfshirë në vendimin që Qeveria e ka marrë të mërkurën për rritjen e pensionit bazë nga 90 në 100 euro.

Sekretari i organizatës komunale të pensionistëve në Prishtinë, Asllan Asllani, ka thënë se rritja e bërë nga Qeveria nuk e mbulon rritjen e çmimeve. Më këtë, sipas tij, as kjo qeveri e as ato para saj nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor.

“Pensionet që jemi duke i marrë ne, si ne kontributpaguesit, si ata që po u thonë pension bazë, nuk mjaftojnë për të jetuar. Ato janë lëmoshë. Nuk ka mundësi që të jetohet me një pension që i thonë këta pension. Është lëmoshë që i jepet një fukaraje”, është shprehur Asllani.

Sipas tij, gjendja do të mund të rregullohej me anë të një ligji sistemor që do të parashihte burimet për mbushje të Fondit të pensioneve.

“Këto rritjet janë si një sheqerkë, kur na e ka dhënë babai edhe na ka thënë ruani bagëtitë mirë që të mos hynë për të bërë zarar. Një sheqerkë me jua dhënë fëmijëve. Nuk është rritje, ky është mashtrim”, ka theksuar Asllani.

Me rritjen e pensionit bazë nuk janë të kënaqur as pensionistët. Pensioni, sipas tyre, nuk ua mbulon as shpenzimet minimale.

Pensionisti kontributpagues, Shefki Sylja, një ish-gjyqtar në Gjykatën e Qarkut, ka thënë se pensioni bazik është i ulët. “Çfarë rritje është 100 euro pensioni. Çfarë rritje është ajo. Ajo nuk i mbulon as shpenzimet minimale të një familjeje, veç sa për të mbijetuar, por tash mundësitë e Qeverisë janë të tjera, varet prej buxhetit, mirëpo nuk mjafton”, është shprehur ai.

Për pensionistin, Selver Lenjani, vendimi i Qeverisë është mashtrues.

“Këtë vendim unë personalisht e vlerësoj mashtrues. Ka mashtruar të gjithë qytetarët. Skemat e pensionit invalidor, duke u nisur nga kjo ndihmë humanitare që jepet, 70 euro, 100 euro, mashtron qytetarët e Republikës së Kosovës... Kjo qeveri duhet të skuqet, për 10 euro që ka dhënë. Është dashur që të hiqen edhe ato. Ja kish falë qytetari, jo për dhjetë euro me i thanë që i kemi rritur pensionet, sepse janë shtrenjtime shumë të mëdha”, ka theksuar Lenjani.

Ndërsa pensionisti Haki Mjekiqi, ka theksuar se është më mirë që të ketë pak rritje sesa fare.

“Më mirë pak se hiq. Tash janë rritur pak, e dikur, kur të forcohet buxheti, rriten edhe pak. Nuk ka fuqi tash me ua bërë të gjithëve sa kanë nevojë”, ka deklaruar Mjekiqi.

Vlera e pensionit bazë të moshës aktualisht është 100 euro. Kurse vlera e pensioneve kontributpaguese përcaktohet varësisht nga niveli i shkollimit. Kategoria e parë përfshin pensionistët me arsimim fillor, të cilët paguhen nga 182 euro. Në kategorinë e dytë janë përfshirë ata me arsim të mesëm, që paguhen 198 euro. Përderisa kategoria e tretë, e cila përfshin pensionist me arsim të lartë, paguhet nga 214 euro dhe ajo e katërt përfshin pensionistët me arsim universitar, që paguhen nga 265 euro.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2021, nga skema e pensioneve bazë të moshës kanë përfituar rreth 140.000 persona përderisa nga ajo e pensioneve kontributpaguese të moshës kanë fituar rreth 48.000 qytetarë.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën, përveç pensioneve bazike ka rritur edhe pensionet e kategorisë me aftësitë e kufizuara, pensionet familjare e ato invalidore, të cilat kanë qenë rreth 75 deri në 90 euro.