Në 11 reparte të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, prej gjithsej 20 repartesh, sa i ka ky spital, aktualisht janë të shtrirë 214 pacientë me COVID-19.
Prej tyre vetëm në Repartin e Pulmologjisë, ku shtrihen kryesisht pacientë me gjendje të rëndë, janë duke u trajtuar 67 pacientë, nëntë prej të cilëve nën përkujdesje intensive.
Kapaciteti normal i këtij reparti është 46 shtretër, por për shkak të numrit të madh të pacientëve, janë shtuar shtretër të tjerë nëpër dhoma.
“Me të vërtetë kemi vështirësi të dukshme me ballafaqimin me COVID, për arsye se së pari është mungesa e resurseve njerëzore. Me këta 60 pacientë merren vetëm katër pulmologë. Pos edhe mjekut që merret në Njësinë Intensive me pacientë me CPAP, ku janë aktualisht nëntë pacientë”, ka deklaruar Fahri Hasani, shef i Repartit të Pulmologjisë.
Deri para një viti Repart i Pulmologjisë kishte shtatë pulmologë, por tre prej tyre ndërkohë janë pensionuar.
E ky nuk është reparti i vetëm që në periudhën e pandemisë po mbetet pa mjekë shkaku i pensionimit.
Numri i mjekëve është pakësuar, siç tha drejtori i këtij spitali, Skënder Dreshaj, edhe në Infektive dhe Radiologji.
Dreshaj tha se në Pulmologji duhen edhe tre mjekë, në Infektive ka mbetur një e duhen pesë mjekë, kurse në Radiologji kanë mbetur tre e duhen shtatë mjekë, që të mund të mbahet shërbimi 24 orë spitalor.
“Të paktën kontratat e mjekëve në specializim të nënshkruhen me spitale dhe në momentin kur shpallen specializimet, atëherë të dihet që specializimi është për Spitalin e Pejës, të shpallet për Spitalin e Pejës, të konkurrojnë, dhe ai mjek që konkurron, e fiton dhe nënshkruan kontratën me Spitalin e Pejës, ai e di që qaty e ka vendin e punës”, u shpreh Dreshaj.
Për nevojën e Spitalit të Pejës për specialistë, KOHA ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë, por e cila nuk ka treguar nëse do të përfshihen spitalet në vendimmarrje për specializime.
Në përgjigjen e saj kjo ministri ka thënë se çështja kryesore e këtyre ditëve është përballimi i situatës së rëndë me COVID-19.