*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!
Kosova ka 151 mijë pensionistë të moshës që marrin shumën mujore nga 100 euro, kurse dyfishin e saj, rreth 48 mijë pensionistë kontributpagues. Përfaqësues të tyre ankohen se pjesë e madhe nga kjo shumë u shkon në sigurimin e barnave, meqë shteti nuk ua siguron ato falas. E, ekspertë të shërbimeve sociale thonë se për mirëqenien e të moshuarve, esenciale janë sigurimet shëndetësore dhe mbulimi i shpenzimeve për mjekim
Ka pesë vjet që Tahir Mavriqi ka mbërritur moshën e pensionit.
Prej që i ka mbushur 65 vjet, ai përfiton pensionin bazik të moshës, në vlerë prej 100 eurosh, një pjesë e madhe nga të cilat i shkojnë në barna, meqë ka dy sëmundje kronike.
“I pi dy parë barna, në mëngjes dhe në mbrëmje, se tensioni po na shkon lart, edhe të sheqerit dy i pi – katra. Me i ble këto barna, është mos vet. Tash, një bari më të mirë (me e ble v.j.), dy paketa kushtojnë diku 10 euro këto të tensionit”, tregon pensionisti Mavriqi.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave, në Kosovë ka 151 mijë pensionistë të moshës që marrin shumën mujore nga 100 euro, kurse dyfishin e saj rreth 48 mijë pensionistë kontributpagues.
Me këtë shumë u duhet t’i sigurojnë edhe barnat, meqë shteti nuk ua ofron falas.
Sekretari i Lidhjes së Pensionistëve, Sherif Kastrati, thotë se me të ardhurat aktuale e kanë vështirë t’ia dalin edhe pensionistët pa sëmundje kronike.
“Më shumë se 60 për qind e pensionit harxhohet për nevoja shëndetësore, po flas për pensionistët që nuk kanë sëmundje kronike. Për kronikë, ata nuk kanë çka të flasin, ata harxhojnë, e harxhojnë edhe fondin e shtëpisë, e s’kanë për barna”, thotë Kastrati.
E kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Nijazi Gashi, tregon se në mungesë të përkrahjes nga shteti, pensionistët shpesh i varin shpresat në organizata joqeveritare humanitare.
“‘Caritasi’ shpeshherë çon nëpër shoqata të pensionistëve kontingjente të caktuara të barnave, të cilat herë mund të jenë ato adekuate e herë nuk mund të jenë, por nga Qeveria nuk kemi kurrfarë mënyre të organizuar të furnizimit të pensionistëve me barna”, thotë Gashi. “Më tepër se gjysma e të ardhurave nga pensionet u shkojnë pensionistëve për blerjen e barnave, kështu që thuajse një numër, mund të them që një e treta e tyre nuk arrijnë që as 1 euro ta shfrytëzojnë për qëllime të tjera, përveç për barna”.
Kosova nuk e ka implementuar sigurimin shëndetësor, ndonëse ka një dekadë prejse janë ndërmarrë nisma ligjore për këtë. Nisma e fundit ka kaluar në qeveri dy javë më parë.
Për pasojë, ndonëse shumicën e shërbimeve në institucione publike pensionistët i marrin falas, ata duhet t’i blejnë barnat por edhe të paguajnë nëse duan të trajtohen në institucione private.
Eksperti i shërbimeve sociale, Vebi Mujku, thotë se për mirëqenien e të moshuarve, esenciale janë sigurimet shëndetësore dhe mbulimi i shpenzimeve.
“Pensionet që ata i gëzojnë tani për tani janë pensione qesharake, që nuk mund ta arrijnë ndoshta as terapinë bazike ta mbulojnë. Ata kanë nevojë për mbulim të barnave”, thotë Mujku. “Mendoj se Qeveria... duhet që të gjejë një buxhet, një fond që mos të mbesin në asnjë moment pa barnat e tyre esenciale të cilat iu nevojiten, sidomos ata të cilët e tejkalojnë dy herë ose tri herë e tejkalojnë shumën e pensioneve të cilën e marrin”.
Përfaqësues të pensionistëve thonë se sigurimi shëndetësor do t’ua mundësonte të shkonin edhe në institucione private shëndetësore për t’i evituar pritjet në ato publike.
“Ai pos sëmundjes që e ka, kur shkon në spital aty i merr edhe 100 sëmundje të tjera. Duhet me pritë, duhet me e shoqëru dikush tjetër, kështu që shkakton probleme zinxhirore, si për vete ashtu edhe për familjen”, thotë Sherif Kastrati.
Ka shërbime shëndetësore nga të cilat institucionet publike i privojnë vetëm pacientët mbi moshën 65-vjeçare. Në Klinikën e Ortopedisë është konfirmuar informata e raportuar në vjegëzën ECR në koha.net, se vetëm pacientët në moshë pensioni detyrohen t’i blejnë protezat për kërdhokull apo gju, e të cilat kushtojnë deri në 700 euro, ndërkaq më të rinjve u sigurohen ato falas.
“Nëse është traumë deri në moshën 65-vjeçare, i kemi nda një grup të protezave që me ia siguru pacientit QKUK-ja, shteti…. Nëse ke thyerje të kërdhokullës edhe je nën moshën 65-vjeçare, klinika edhe spitalet e tjera regjionale i kanë disa komponente mbipolare, një lloj i protezës, po për mbi moshën 65-vjeçare, kur ka mungesë, atëherë në disa raste ka pasur që duhet për ta ble se nuk e kemi”, pati konfirmuar drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Xhavid Gashi.
Sipas drejtorit Gashi, vendimi është marrë shkaku i mungesës së furnizimit të qëndrueshëm me këtë lloj proteze dhe pas konsultimit në kolegjiumin e mjekëve. Ai ka theksuar se është bërë kërkesë tek organet kompetente për furnizim të qëndrueshëm me material, në mënyrë që të largohet limiti i moshës.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se do të iniciojë hetim për rastin e protezave dhe tregoi se të moshuarve u refuzohet qasja edhe në shërbime të tjera shëndetësore.
KOHA ka raportuar se SHSKUK-ja e ka normuar që pacientëve mbi moshën 65 vjeç të mos u ofrohen shërbime në Klinikën e Psikiatrisë. Në Klinikë thanë se ofrojnë shërbime edhe për të moshuarit, por pranuan se u mungojnë kushtet për mjekësinë geriatrike, e cila nënkupton kujdesin e specializuar për nevojat unike shëndetësore të të moshuarve. E, Avokati i Popullit ka thënë se po përgatit një raport edhe për këtë situatë.