Arbëri

Pëllumbat “vërshojnë” ndërtesën në “Ulpianë” së cilës iu dëmtua nënçatia

Pellumbat

Përkundër ankesave për rrezikun nga rënia e fasadës, banorët e ndërtesës D/3, të hyrjes numër 2 në Ulpianë nuk kanë gjetur zgjidhje nga autoritetet komunale.

Madje, tash ata po përballen edhe me një problem tjetër.

Nga vrimat të cilat janë krijuar në nënçatinë brenda hyrjes, kanë nisur të hyjnë pëllumbat të cilët nuk po e gjejnë daljen më. Përveç papastërtisë të cilën po e krijojnë, banorët kanë deklaruar se disa prej tyre edhe kanë ngordhur.

Përveç kësaj, pluhuri si pasojë e dëmtimit të nënçatisë, ka mbuluar korridoret e kësaj ndërtese.

Banorët i kanë thënë KOHËS se sa i përket dëmtimit të fasadës, NPB-ja u ka thënë se nuk bëjnë intervenime të tilla.

Emisioni 038 ka raportuar edhe në fund të prillit për shqetësimin e këtyre banorëve.

Fasadimi i ndërtesave të vjetra ka qenë njëri nga 206 premtimet elektorale të kryetarit, Përparim Rama.

Megjithëse është viti i tretë i qeverisjes së tij, intervenim i jashtëm është bërë vetëm te “Soliterët” në Ulpianë.