Arbëri

Pejë, pandemia shton numrin e të moshuarve pa përkujdesje dhe rastet në nevojë

Pandemia e koronavirusit ka përkeqësuar situatën në komunën e Pejës me të moshuar të vetmuar e pa përkujdesje dhe rastet e familjeve në nevojë, ka thënë për KOHËN, sekretari i Kryqit të Kuq në këtë komunë, Agron Kelmendi.

Në prag të festave të fundvitit, familjet e varfra kërkojnë ndihmë për mbijetesë, ndërsa pos Kryqit të Kuq, ata i drejtohen edhe Komunës me kërkesat për ndihmë.

Në një deklaratë për KOHËN, Kelmendi ka thënë se ndihmat kanë filluar të shpërndahen muajin e shkuar dhe kanë vazhduar edhe këtë muaj. Në dhjetor janë ndihmuar të moshuarit që jetojnë vetëm dhe që nuk kanë përkujdesje. Ata janë ndihmuar me pako ushqimore e higjienike.

“Muajin e kaluar i kemi ndihmuar me gjëra ushqimore dhe higjienike 30 persona të moshuar që jetojnë vetëm, kurse këtë muaj edhe 22 tjerë. Kurse sot edhe tetë të tjerë. Gjithsejtë para festave të fundvitit u kemi siguruar pako me gjëra ushqimore dhe higjienike gjithsejtë 60 personave të moshuar në komunën tonë, që jetojnë vetë dhe janë pa përkujdesje. Këta të moshuar janë të të dy gjinive dhe të gjitha etniteteve që jetojnë në komunën e Pejës”, ka thënë ai. Megjithatë, sipas tij, ky numër është vetëm një e treta e të moshuarve që jetojnë vetëm dhe që nuk kanë përkujdesje. “I kemi në listat tona afër 200 të moshuar e të moshuara që jetojnë vetëm. Por ne deri tash i kemi ndihmuar 60 prej tyre. Disa i kemi ndihmuar për të dytën herë që e kanë gjendjen shumë të rëndë. Disa tjerë janë për herë të parë që po i ndihmojmë. Ka edhe të vetmuar që i kemi ndihmuar por që kanë vdekur periudhën e fundit. Ne do të vazhdojmë me projektin tonë për t’ju ofruar ndihmë gjithë pleqve të vetmuar që janë në komunën e Pejës”.

Pos rasteve të të moshuarve që kanë nevojë për përkujdesje, sivjet është rritur ndjeshëm edhe numri i familjeve në nevojë për ndihma. Sipas Kelmendit, shkaktar është pandemia.

“Pandemia ka rritur numrin edhe të familjeve tjera që kërkojnë ndihmë nga Kryqi i Kuq. Sivjet gjatë muajve të pandemisë i kemi ndihmuar rreth një mijë familje nevojtare. Krahasuar me vitin e kaluar është rritur numri i familjeve që po kërkojnë ndihmë. Janë së paku 200 familje më shumë që kanë paraqitur kërkesa për t’u ndihmuar. Në mesin e tyre ka edhe të tillë që kanë humbur punën gjatë pandemisë”, është shprehur ai.

Kryqi i Kuq në Pejë nuk po mund i ndihmojë të gjithë, pasi sipas Kelmendit janë kritere që duhet plotësuar për t’u ndihmuar.

“Së pari janë numër i madh i anëtarëve të familjes, që nuk kanë të punësuar, që kanë një asistencë sociale të vogël dhe që nuk kanë mundësi as të punojnë. Ka familje që kanë edhe të sëmurë. Kështu që pandemia e ka rritur numrin e familjeve që kanë nevojë për ndihmë”, ka thënë Kelmendi.

Pos te Kryqi i Kuq, familjet në nevojë kanë kërkuar ndihmë edhe në Komunë. Drejtori komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Petrit Loci, ka thënë se kanë ndihmuar rreth 80 familje, dhe jo vetëm me pako ushqimore.

“Sivjet kemi vendosur që t’i subvencionojmë familjet nevojtare, të cilave u kemi dhënë para. Prej 100 deri 300 euro për familje, varësisht nga specifikat e kërkesave, numri i anëtarëve të familjeve, anëtarëve të sëmurë në familje, a kanë shtëpi të vetën, kushtet në të cilat jetojnë... Kështu kemi konsideruar se ka qenë më mirë që t’u japim para dhe mund të blejnë gjëra të nevojës momentale që i kanë”, ka thënë Loci.

Edhe në adresë të Komunës sivjet ka pas më shumë kërkesa për ndihmë sesa vitet e kaluara dhe atë shkaku i pandemisë. Loci ka treguar se në fillim të pandemisë janë shpërndarë mbi 100 mijë euro vlerë pako ushqimore dhe higjienike dhe ato ndihma kanë vazhduar edhe muajt tjerë në vijim, përfshirë ndihma edhe nga donatorë të ndryshëm.