Në rrugët e qytetit dhe të fshatrave të Pejës vazhdimisht është duke u shtuar numri i qenve endacakë. Qytetarët alarmojnë për gjendjen e krijuar, duke kërkuar veprim nga Komuna, e cila nuk ka ndonjë plan veprimi. Arsyetohet se kjo problematikë duhet të trajtohet në nivel nacional
Pejë, 31 tetor - Qytetarët e Pejës janë duke u ndier të pasigurt nga numri i madh i qenve endacakë, të cilët janë duke u shtuar gjithnjë e më tepër në pjesët urbane dhe atë rurale.
Ata kërkojnë nga Komuna që të veprojë, ngase thonë se gjendja është alarmante.
“Për çdo hap pa u taku me një qen nuk e len. Gjithkah ka rrugëve. Është problem për familje, për fëmijë, sidomos për fëmijët që shkojnë në shkollë. Unë nuk e di, Komuna me marrë diçka, me bë, me i strehu diku, se është shumë rrezik, gjendje e keqe shumë.. sidomos për fëmijë është katastrofë”, ka thënë Ukë Lulaj, banor i Pejës.
Mirëpo, Komuna aktualisht nuk ka plan të merret me trajtimin e qenve endacakë, pasi, sipas kryetarit Muhaxheri, kjo problematikë duhet të trajtohet në nivel nacional.
“Agjencia e veterinës, e cila e ka marrë buxhetin prej Qeverisë e nuk ka jep rezultate, duhet me jep rrugë. O duhet me marrë përgjegjësi e me kry agjencia këto punë, o duhet me i delegu te komunat dhe të gjitha komunat me funksionu njëjtë. Nuk mundet me u zgjidhë problemi i qenve endacakë vetëm në një komunë”.
Por, përgjegjësia dhe kompetencat për trajtimin e qenve endacakë sa i përket aspektit ligjor, siç thonë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, nuk i takojnë nivelit qendror.
“Faktikisht, Ligji i veterinarisë, neni 13, e përcakton që trajtimi i qenve endacakë është komplet kompetencë e nivelit lokal, në këtë rast e komunave”, ka thënë Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Thaçi theksoi se komunat nuk janë duke i kryer detyrat e veta dhe si pasojë, po shfaqen gjendjet emergjente.
Tregon se në dhjetor të vitit 2020 ua ka dërguar komunave një strategji dhe plan si duhet të veprohet në terren, por disa komuna, sipas tij, nuk janë duke i përfillur.