Arbëri

Peja ndan buxhet për asfalt por jo edhe për qytetarët e bizneset që pësuan nga pandemia

Mbi dy milionë e 400 mijë euro i ka planifikuar Komuna e Pejës për sivjet për projekte të asfaltimit të rrugëve, nga rreth tetë milionë, sa i ka të parapara për investime kapitale.

E për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset e dëmtuara nga pandemia, komuna nuk e ka të ndarë ndonjë shumë të veçantë.

Shpenzimin e të gjitha këtyre mjeteve të taksapaguesve për infrastrukturë rrugore, në kohë pandemie, e konsideron të pakuptimtë këshilltari i pavarur në Kuvendin Komunal të Pejës, Gzon Berisha.

Sipas tij, Komuna është dashur të sakrifikojë projekte rrugore, për t’i ndihmuar njerëzit dhe bizneset.

“Në këtë gjendje në çfare jemi, është tmerr me shku krejt ai buxhet. Po shihet që është për interesa të klaneve për me ju dhënë punë njerëzve, kryetari kompanive të veta që i konsideron të afërt me LDK-në dhe për fushatë me ja u çu njerëzve asfaltin deri të dera e me marr vota”, ka thënë Berisha.

Në komunë i mohojnë pohimet e Berishës. Thonë se janë disa kritere që nuk përcaktohen nga Komuna, por nga niveli qendror dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

“Është problemi i kategorive ekonomike, se nuk varen nga Komuna e Pejës. Për shembull sipas parashikimeve të fundit monetare ndërkombëtar, e kemi obligim që së paku 30 për qind e buxhetit të shkojë në kapitale. Për atë arsye po e thënë që është e pamundur të vendosën këto. Unë po të kisha pas mundësi kisha vendos më tepër në subvencione që të ndihmohen njerëzit”, ka thënë drejtori i Financave, Jeton Abazaj.

E vetmja ndihmë qytetarëve, siç thotë drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, mund t’u jepet nga subvencionet e kodit të kryetarit të Komunës, të planifikuara për sivjet në shumë prej 400 mijë eurosh.

Këto mjete parashihen jo vetëm për sektorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, por edhe për kulturë.

“Kjo ka të bëjë me kategorinë e subvencioneve dhe kategoria e subvencioneve nuk e specifikon arsyen specifike për subvencionim, por në bazë të kërkesave specifike atëherë ndahen edhe subvencionet”, ka deklaruar Loci.

Prej që është shfaqur pandemia, në Pejë janë regjistruar mbi 2 mijë e 300 raste me Covid-19 dhe kanë vdekur 93 persona.

Komuna e Pejës, si e pranon drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Lendita Muhaxheri, ende nuk ka bërë ndonjë analizë për dëmin që i ka shkaktuar pandemia ekonomisë pejane.