Arbëri

Peja grumbullon mbeturinat e tekstilit, për përdorim të sërishëm

Grumbullimi i mbeturinave të tekstilit për riciklim dhe ridizajnim me qëllim të përdorimit të sërishëm ka filluar të shndërrohet në një kulturë të re në Pejë. Shtytja ka ardhur në kuadër të një projekti në këtë komunë

Me dhjetëra kilogramë mbeturina të tekstilit hedhen për çdo ditë.

Meqenëse shumica e tyre janë rroba që mund të ripërdoren, riciklohen dhe ridizajnohen, organizatës mjedisore “Let's Do It Peja”, i kishte lindur si ide që ta bëjë grumbullimin e tyre për atë qëllim.

Dhe kjo ide është jetësuar nëpërmjet një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Komuna e Pejës, e cila e ka dhënë një pjesë simbolike.

Në kuadër të kësaj, në qendër të Pejës u vendos një kuti grumbullimi tre muaj më parë.

Urim Xharavina, drejtor i organizatës, tregon se vetëdija për mos-hedhjen e mbeturinave të tekstilit ka nisur të rritet.

“Qytetarët pa ndërprerë kanë vendosë rroba këtu, por dhe njëkohësisht edhe na dërgojnë mesazhe nëpërmjet mediave sociale dhe nëpërmjet telefonit na informojnë që ekipi i jonë shkon në shtëpi dhe i grumbullon”, ka thënë ai.

Mbeturinat e grumbulluara të tekstilit pastaj dërgohen për pastrim, riparohen dhe ridizajnohen.

Një pjesë e rrobave të padëmtuara nxirren edhe për shitje për një çmim simbolik si rroba të dorës së dytë, në dyqanin e hapur në kuadër të këtij projekti. Një pjesë tjetër e tyre ndërkaq, u dhurohet familjeve skamnore.

Ndërkohë, një sasi tjetër e mbeturinave të tekstilit dërgohet në shkollën e arteve, “Odhise Paskali” në Pejë. Përfshirja edhe e nxënësve të kësaj shkolle konsiderohet e rëndësishme për aftësimin e tyre praktik në kuadër të procesit mësimor.

“Është shumë e rëndësishme për nxënësit e shkollës tonë për shkak se ata në kohën e rregullt të mësimit mësojnë anën teorike, normalisht edhe praktikën, mirëpo, ekstra orë mbajnë edhe në lëndë praktike ku ata kanë mundësi me pa praktikisht qepjen, prerjen dhe formësimin e tekstilit në përgjithësi”, ka deklaruar Kastriot Blakaj, koordinator i praktikave profesionale në shkollën e artit.

Riciklimi i mbeturinave të tekstilit konsiderohet i rëndësishëm, pasi sipas një studimi të një fondacioni ndërkombëtar, është konstatuar se në botë çdo sekondë një kamion tekstil përfundon në mbeturina.