Arbëri

Peja e aventurave të “çmendura”

Në mungesë të fabrikave, që pas luftës kryesisht janë shndërruar në qendra tregtare, i tërë zhvillimi i qytetit të Pejës është kthyer kah turizmi. Me konceptin e turizmit aventurier, si kontribuues për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, bukurive të shumta natyrore po i shtohen disa elementë të “çmendur” - magnet për mijëra vizitorë.

Emocion i jashtëzakonshëm dhe plot adrenalinë mund të përjetohen tek 35 elementet e ndryshme të parkut që mban emrin ”Parku i Aventurave” dhe që shtrihet rreth dy kilometra larg qendrës së qytetit, mbi lagjen kodrinore “Zatra”. Ky park, i hapur në vitin 2017, është i vetmi i këtij lloji në gjithë rajonin, shkruan sot Koha Ditore. 

“Pasi e kam hapur restorantin këtu në vitin 2007, kam menduar gjatë se çfarë mund bëj tjetër. Më lindi ideja për një projekt me aventurë e përplot adrenalinë, që rrallë diku tjetër mund të përjetohet”, tregon pronari i këtij parku, Xheladin Gashi, kohën kur disa vite më parë ka bërë bashkë copëzat e ideve të projektit që vetë nuk kishte mundësi ta jetësojë.

Mbështetjen financiare për “Parkun e Aventurave”, të cilin e ka ndërtuar një kompani profesionale nga Çekia, Gashi e ka gjetur te organizata zvicerane “SwissContact” dhe te Komuna e Pejës.

“Ky projekt ka kushtuar shumë. Komuna e Pejës ka dhënë 10 për qind dhe për këtë falënderoj kryetarin Gazmend Muhaxheri, që menjëherë ka treguar gatishmëri me mbështet këtë projekt, derisa organizata zvicerane ka financuar 40 për qind të projektit. Të tjerat janë investime të mia”, tregon ai në përqindje mbështetjen nga Komuna dhe zviceranët, por nuk tregon vlerën e gjithë projektit.

Në Komunë tregojnë se për këtë projekt janë dhënë 10 mijë euro.

Të gjitha elementet gjenden në një hapësirë mbi 200 metra gjatësi. Por asnjëra nuk ia kalon një elementi që është i ngritur 50 metra para hyrjes së këtij parku. Ai konstrukt nga druri dhe metali, i lartë 27 metra, në zhargonin aventurier quhet “Bigswing”, që nuk është gjë tjetër vetëm një lëkundje e madhe në një luhajë më të lartë të këtij lloji në Evropë....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)