Arbëri

Peja aktualisht me 11 raste aktive me Covid-19 dhe mbi 23 mijë të vaksinuar

Në mesin e 70 rasteve të reja pozitive në nivel vendi, një rast është nga Peja. Ky rast i ri, siç tha për KOHËN, drejtoresha e Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Pejë, Adnora Nurboja, ka quar në 11 rastet aktive, sa janë aktualisht në këtë komunë.

Në dy javët e fundit në Pejë numri i rasteve aktive me Covid-19 ka shënuar një rritje prej 7 rasteve të reja.

Edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, në 24 orët e fundit është rritur për dy numri i pacientëve të shtrirë me Covid-19.

Zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti i tha KOHËS se aktualisht në këtë spital janë të shtrirë pesë pacientë me Covid-19, prej të cilëve dy po trajtohen me oksigjenoterapi.

Kur kishin nisur muajin e kaluar të pakësohen rastet e reja me Covid-19 në Pejë, Drejtoria e Shëndetësisë, në mungesë të pacientëve, e kishte mbyllur qendrën e Covid-19, që gjendej në aneksin e Qendrës së Mjekësisë Familjare numër 5, ku jepej terapia paranterale për Covid-19 të gjithë pacientëve të kësaj komune.

Mirëpo, siç thotë drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, kjo qendër është e gatshme të hapet në çdo moment, nëse paraqitet nevoja. Por ai beson pak se do të shkojë numri aq lartë me të infektuar nga Covid-19, siç ishte verën e kaluar, kur brenda një dite terapinë e merrnin mbi 200 pacientë, edhe për shkak të interesimit të qytetarëve të kësaj komune për vaksinim.

Vetëm gjatë muajit korrik, siç tha për KOHËN shefi i qendrës së vaksinimit në Pejë, Dugagjin Sahatçiu, janë vaksinuar 12 mijë 940 qytetarë. Gjithsejtë në këtë komunë sipas tij janë vaksinuar deri sot 23 mijë e 210 pejanë, prej të cilëve rreth 18 mijë me dozën e parë dhe tjerët edhe me dozën e dytë.

Që nga paraqitja e pandemisë, në këtë komunë janë konfirmuar rreth 5 mijë e 50 raste me Covid-19, megjithëse mjekët në qendrat e mjekësisë familjare besojnë që ky numër është së paku tre-katër fish më i lartë sesa numri që paraqitet vetëm në bazë të rezultateve pozitive që dalin nga testimet e institutit.

Kurse jetën në këtë komunë nga Covid-19, sipas drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik në Pejë, e kanë humbur deri tash142 persona.