Arbëri

Pediatri kosovar rekomandon që fëmijët me sëmundje kronike të mos kthehen në shkolla e çerdhe

Pediatri kosovar Ismail Lutolli ka thënë se duhet hapur shkollat duke respektuar rregullat dhe rekomandimet. Por ai ka sugjeruar që fëmijët të cilët vuajnë nga sëmundje kronike të mos kthehen në çerdhe e shkolla.

Kjo pasi sipas tij, ata futen në kategorinë që rrezikohen më së shumti nga koronavirusi i ri.

“Ndoshta do të ishte mirë që fëmijët që kanë sëmundje kronike të mos kthehen në çerdhe e shkolla apo të kthehen në shkolla, por në kujdes shumë rigoroz”, ka thënë Lutolli për RTK-në.

Ai ka thënë se nuk duhet bllokuar procesi mësimor e as shteti.

“Kur i sheh gjithë ata njerëz kafeneve në Prishtinë, është jo e drejtë t’i ndalosh shkollat e çerdhet. Fëmijët mund të infektohen, e të jenë bartës, por e kalojnë më së lehti. Shkollat duhet të hapen, duke i respektuar rregullat e rekomandimet”, ka thënë Lutolli.

Fillimi i vitit të ri shkollor në Kosovë është shtyrë deri më 14 shtator. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur masterplanin e po ashtu edhe skenarët sipas së cilëve do të mbahet procesi mësimor.