Arbëri

Ministri Peci u kërkon fermerëve të mos i djegin hamulloret

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, u ka bërë thirrje fermerëve të mos i djegin hamulloret, pas raportimeve se në disa komuna ka pasur djegie të tilla.

Përmes Facebookut, Peci shkruan se djegia e hamulloreve përpos që shkakton ndotje të ambientit, rrezikon edhe jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

“Jemi duke e përjetuar një mot me temperatura mjaftë të larta, prandaj edhe djegia e hamulloreve, pos që shkakton ndotje të ambientit, shkakton dëme të tjera të shumta duke rrezikuar edhe jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Djegia e kashtës do të jetë potencial i zjarreve që do të rrezikoj pasurinë e tjerëve, objektet e banimit, objektet ekonomike, si dhe djegien e pyjeve”, thuhet në njoftim.

Ministri i BPZH-së thotë se pas adresimit të këshillave dhe kërkesave për ndaljen e djegieve së hamulloreve, janë të detyruar të shqiptojnë masa ndaj personave që kryejnë këtë veprim.