Arbëri

Peci merr vendim për lirimin e pronës së Institutit Bujqësor të Kosovës në Prishtinë, përgjigjet drejtori

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se ka nënshkruar vendim për lirimin e pronës së Institutit për Hulumtime Shkencore në Bujqësi që gjendet në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Në atë pronë, ku gjendet edhe selia e AAK-së, Peci ka thënë se janë ndërtuar “ilegalisht 700 metra lokale afariste, është bërë tjetërsim dhe bartje e pronës nga shtetërore në private, është shndërruar oborri në depo, ndërsa s’ka pasur veprim nga pesë ish-ministra”.

Peci ka thënë se ka denoncuar rastin në Prokurori por nuk është marrë asnjë veprim.

“Për të gjitha këto dukuri, tjetërsimin e dyshimtë të pronave, aneksimin, ndërtimet e vrazhda brenda objektit të Institutit Bujqësor të Kosovës, para afro një viti unë kam denoncuar publikisht dhe ia kam dërguar të gjitha provat Prokurorisë së Shtetit. Përkundër pritjes sonë gati njëvjeçare, asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Protagonisti kryesor, drejtori aktual i Institutit bën sfilata në studio televizive dhe kërcënon me padi titullarin e institucionit, ndërsa në qendër të Prishtinës në Ulpianë qëndron si ‘Luan’ objekti i korrupsionit edhe i zhvatjes së tij. Mirëpo, ky nuk është protagonisti i vetëm. Përveç kësaj për afro 11 vjet, 5 ish-ministrat e Bujqësisë, përveç se nuk kanë marrë asnjë veprim në parandalimin e abuzimeve dhe shfrytëzimit të pronës së Ministrisë së Bujqësisë, ata madje dhe i kanë lejuar ndërtimet e tilla. Unë si ministër nuk kam qëndruar duarkryq. Pas heshtjes së Prokurorisë, dje duke u bazuar në përgjegjësitë e mia ligjore, dhe kushtetuese, kam marrë vendim që objekti që është pronë e Ministrisë së Bujqësisë të i rikthehet titullarit në shfrytëzim”, ka theksuar Peci në një video të postuar në Facebook.

Ai të martën po ashtu paralajmëroi rrënimin e 25 vilave në Stankaj të Pejës, që ka thënë se janë ndërtuar ilegalisht në pronat e Institutit Bujqësor të Kosovës.


Geci: Peci i painformuar, po më hakmerret 

I pyetur për akuzat që ka hedhur Peci ndaj tij drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci, ka thënë se ministri është i painformuar.

“Nuk ka gajle sepse ministri është i painformuar realisht, edhe e ka marr me shqetësim që ia kam dërguar një ofertë për kërkimfalje publike për shpifje, sepse ma ka dëmtuar edhe familjen”, ka deklaruar Geci, duke shtuar se beson që Peci këto akuza i ka bërë në shenjë hakmarrje ndaj tij.

Sipas tij Peci prej që ka ardhur në krye të Ministrisë nuk ka pranuar bashkëpunim me Institutin.

Sa i përket vendimit të ministrit Peci, ai ka thënë se nuk dëshiron të merret me të.

“Nuk kam qejf mu marr më këtë, ai është ministër ai i ka vendimet tij, vetëm një gjë e di që këtë lëndë e përfaqëson Avokatura e Shtetit, është në proces gjyqësor dhe nuk kam çfarë të them më shumë, hetimet janë nisur mbi bazën e një Komisioni ministror në vitin 2018”, ka theksuar Geci.


Reagon familja që pretendon se është pronare e pronës për të cilën Peci deklaroi se është e Institutit Bujqësor

Gjithashtu ka reaguar edhe familja që pretendon se prona për të cilën ministri Peci deklaroi se është e Institutit Bujqësor të Kosovës dhe shfrytëzohet nga persona privatë.

Yll Bogaj, që ka qenë edhe asamblist i AAK-së në Prishtinë, ka publikuar një reagim në rrjetin social Facebook ku e ka quajtur shpifës ministrin Peci.

Sipas Bogajt, Peci e ka etiketuar pronën e tyre private si pjesë të Institutit të Bujqësisë, siç ka thënë “duke synuar shantazhin publik, frikësimin dhe shpronësimin tonë nga ‘shenjtëria’ dhe paprekshmëria e të drejtës pronësore e garantuar me ligj, kushtetutë dhe me norma e parime universale”.

“Videoja shantazhuese e Faton Pecit, është vazhdimësi e shantazhit të tij publik që na është bërë tash e një vit të plotë. Për më tepër, kulmi i çdo gjeje ka qenë dje kur kemi pranuar një ‘Vendim’ të Faton Pecit, i cili në mënyrë krejtësisht arbitrare na kërkon që ta lirojmë pronën tonë legale brenda shtatë ditësh, nën kërcënimin e largimit tonë me forcë nga prona jonë private. Deri më sot, kemi dashur të kursehemi nga diskursi publik i përplasjes së gënjeshtrave të Faton Pecit me gjendjen faktike juridike, pasi që kemi vlerësuar e besuar siç vazhdojmë të besojmë, se për konteste të tilla ka rrugë ligjore e mekanizma ligjor të cilat edhe i kemi shfrytëzuar”, ka shkuar Bogaj në Facebook.

Ai ka thënë se i kanë mirëpritur e janë të hapur për organet kompetente që kanë nevojë të vërtetojnë vërtetësinë e pronës private të bazuar në certifikata pronësore.

“Për informimin tuaj korrekt, ne jemi një familje e thjeshte dhe e zakonshme kosovare. Objekti të cilin e kemi në pronësi, është objekt banesor i blerë në mënyrë legjitime e legale nga personat fizikë, përmes kontratave të lidhura pranë organeve kompetente, e jo nga Instituti i Bujqësisë. Certifikatat pronësore janë në emër tonin”, ka shkruar ai, ku ka publikuar edhe numrat e dy fletëve poseduese.

ka thënë se që nga periudha kur janë “pronarë legjitimë të kësaj pasurie, ne paguajmë tatim në pronë dhe detyrimet tjera përkatëse”.

Sipas tij historiku i objektit bashkë me të drejtat pronësore që kanë ekzistuar në atë objekt janë të evidentueshme. “Këto i ka ditur shumë mirë dhe i din edhe Faton Peci, pasi që i njëjti, ju ka shkruar institucioneve tjera duke ju referuar pronarit të vërtetë me certifikata pronësore, saktësisht neve”, ka shkruar Bogaj.

Ai ka bërë të ditur se për këtë çështje në vitin 2016 kanë ngritur një padi ndaj Ministrisë së Bujqësisë e se gjithashtu tani kanë paditur edhe ministrin Peci për shpifje.

“Për informimin tuaj, ne kemi paditur Ministrinë e Bujqësisë në vitin 2016 për definimin e kufirit pronësor dhe që nga ajo kohë jemi duke pritur shtjellimin e çështjes gjyqësore. Pas shpifjeve të Faton Pecit dhe në mungesë të edukatës bazike për kërkim falje dhe vazhdimësisë së dëmit material dhe moral ndaj integritetit tonë, që ai na ka bërë duke na portretizuar si uzurpatorë, ndaj Faton Pecit kemi ushtruar padi për shpifje”, ka shkruar Bogaj.