Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar se dëshiron të jetë ministër edhe për një mandat, e siç ka thënë ai, ambicia i është rritur “në javën e sulmeve”, kur raportohej se i ka dhënë grant bujqësor familjarëve të deputetes së partisë në pushtet, Fitore Pacolli.
Ai ka thënë në podcastin “Rrjedha” në Kohavision se deri vonë ka menduar se ky duhet të jetë mandati i tij i fundit si ministër i Bujqësisë pasi “ndoshta është më mirë të vijë dikush tjetër”.
Peci ka thënë se beson që qeverisja aktuale do t’i fitojë sërish 50 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Unë besoj...Deri te kjo javë e kam pasur mbamendje se kam bërë maksimumin në sektorin e bujqësisë, ndoshta është më mirë të vijë dikush tjetër, mund të jetë më kreativ. Por, në javën e sulmeve më është rritur ambicia për të pasur edhe një mandat të dytë”, ka thënë ai.
I pyetur për një prej çështjeve që s’ka arritur ta përfundojë si ministër, Peci përmendi orientimin e investimeve të kulturave bujqësore mbi bazën e rendimentit.
