Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, e ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, se po bllokon ndërtimin e objektit të Ministrisë, duke mos e pajisur me kushte të ndërtimit.
“Qytetarët e Prishtinës, por edhe qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që Përparim Rama ka bllokuar [do procedurë për ndërtimin e objektit të MBPZHR-së! Sot është dita e 73-të nga dita e paraqitjes së kërkesës dhe dita e 42-të e kalimit të afatit kohor që Përparim Rama ka mohuar pajisjen e MBPZHR-së me kushtet e ndërtimit të objektit!” – ka shkruar Peci në Facebook.
Ai ka thënë se janë bërë dhjetëra kërkesa për takime, porse është bllokuar me arsye të llojeve të ndryshme.
“Rikujtojmë se Përparim Rama dhe ekzekutivi i Komunës së Prishtinës ka zvarritur në vazhdimësi përgjegjësitë ligjore të cilat iu takojnë karshi kërkesave tona respektivisht të MBPZHR-së, siç janë përgjegjësitë ndaj aksioneve të inspektorëve! Qartësojmë për qytetarët e Kosovës, se bllokimi i ndërtimit të objektit të MBPZHR-së, ndër të tjerat mohon përfitimin e 160 milionë eurove për bujqësinë vetëm në vitin e parë nga akreditimi në IPARD, si dhe liron buxhetin e shtetit nga barra e qirasë së lartë. Njëherit ky objekt do të akomodojë zyrtarët e institucionit tonë dhe agjencive përkatëse ekzekutive. Përparim, hap krahun përparimit të Kosovës”, ka shkruar Peci.
Ndaj tij ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që ka thënë se Ministria nuk ka kompletuar dokumentacionin, duke thënë se mungon dokumenti i matjeve gjeodezike.
“Përmes këtij reagimi, institucionet e Kryeqytetit përgënjeshtrojnë pretendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vonesat e shkaktuara nga organet e Kryeqytetit për t'u pajisur me kushtet ndërtimore për ndërtesën e Ministrisë. Më tutje, sqarojmë se dokumentacioni i dorëzuar nga Ministria është i pakompletuar sepse i mungon dokumenti i matjeve gjeodezike, i cili është i domosdoshëm për lëshimin e kushteve ndërtimore. Përndryshe jemi të habitur me aftësinë dhe kohën që gjen një ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës për t'u marrë me gjendjen shëndetësore të familjarëve dhe pushimet personale të stafit të Kryeqytetit”, thuhet në reagimin e Ramës.