Arbëri

Për mjetet e planit të BE-së, PE-ja do t’u kërkojë Kosovës e Serbisë angazhim konkret në normalizim

“Parakusht do të jetë që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre me qëllim të zbatimit të plotë të obligimeve përkatëse që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit për zbatimin, si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara në dialog dhe të angazhohen në negociata për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në amendamentin e propozuar nga PE-ja si kusht shtesë për përdorimin e mjeteve të BE-së

Plani i Bashkimit Evropian për rritje ekonomike dhe reforma në Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, është diskutuar të martën në Parlamentin Evropian, ku duhet ta marrë pëlqimin para se të hyjë në fuqi.

Diskutimi është zhvilluar në takimin e përbashkët të Komiteteve për Politikë të Jashtme dhe të atij për Buxhet të Parlamentit Evropian (PE), ku Komisioni Evropian (KE) ka paraqitur propozim-rezolutën legjislative për themelimin e planit për reforma dhe rritje ekonomike. Gjatë diskutimeve të zhvilluara Komisioni është kritikuar se e ka propozuar tepër vonë këtë dokument, teksa është shprehur qëndrimi se Parlamenti Evropian tash është në presion për ta miratuar atë para se të shpërbëhet në qershor, kur pritet që të zhvillohen zgjedhjet e reja për përbërjen e PE-së.

Parlamenti Evropian ka mbështetur fuqishëm asistencën e veçantë financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka kërkuar që të bëhet e qartë se kjo vetëm i plotëson instrumentet e paraanëtarësimit – fondet IPA – dhe se nuk është zëvendësim për to. Parlamenti ka mbështetur po ashtu kushtëzimin për përdorimin e këtyre mjeteve dhe ka kërkuar që të shtohen edhe disa kushtëzime.

Në mesin e kushtëzimeve në Parlament kanë thënë se duhet të jetë edhe përshtatja me qëndrimet e Bashkimit Evropian (BE) në fushën e politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, përfshirë edhe mbështetjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Një parakusht tjetër do të jetë përshtatja me politikën e përbashkët të jashtme dhe sigurisë të Unionit, përfshirë miratimin e masave kufizuese ndaj Rusisë, sikur edhe me kërkesat e BE-së për viza për vendet e treta”, thuhet në amendamentin që ka propozuar Parlamenti Evropian si kusht shtesë për përdorimin e këtyre mjeteve.

Ky propozim-ndryshim mund të ketë efekt në rastin e Serbisë, pasi që është i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë, me gjithë thirrjet e shpeshta që janë dëgjuar nga Parlamenti Evropian.

Komisioni Evropian, në mbështetje të Parlamentit, ka bërë të qartë se kushte specifike për përdorimin e këtyre mjeteve do të ketë për Kosovën dhe Serbinë dhe se kjo kushtëzohet me përparimin konkret të vendeve në përmbushjen e obligimeve që dalin nga procesi i normalizimit të raporteve, si dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Parakusht do të jetë që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre me qëllim të zbatimit të plotë të obligimeve përkatëse që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit për zbatimin, si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara në dialog dhe të angazhohen në negociata për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në amendamentin e propozuar nga PE-ja si kusht shtesë për përdorimin e mjeteve të BE-së.

Parlamenti Evropian ka propozuar që të shtohet edhe një sqarim që kërkohet “rezultat i qartë i matshëm dhe rezultate konkrete”.

Ndër kushtet kryesore në të cilat do të insistojnë institucionet e BE-së është respektimi i sundimit të ligjit, vlerave demokratike dhe vlerave të përbashkëta të Bashkimit Evropian.

Sipas planit të BE-së, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka në dispozicion 6 miliardë euro shtesë për rritje ekonomike dhe reforma të BE-së. Këto mjete do të kenë një kushtëzim të shtuar dhe do të përdoren vetëm nëse respektohen ato. Nga kjo shumë 2 miliardë do të jenë në formën e granteve pa kthim për përfituesit, ndërsa 4 miliardë do të jenë kredi të favorshme për të cilat do të garantonte BE-ja.

Bazuar në propozimin e Komisionit Evropian, gjysma e mjeteve nga plani për rritje në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të shkojnë në kuadër të kornizës për investime, ngase mjetet ekzistuese që janë në dispozicion nuk konsiderohen të mjaftueshme për të tërhequr investime të duhura. Pjesa tjetër do të shkojë direkt në buxhetin e vendeve për të financuar disa nga reformat e nevojshme.

Komisioni Evropian beson se ky plan do ta ndryshojë shumë Ballkanin dhe do të jetë gjenerator për rritje të konsiderueshme ekonomike dhe me këtë do ta ndihmojë edhe progresin e këtyre vendeve drejt integrimit në BE. Parlamenti Evropian kërkon që të bëhet e qartë se instrumentet e paraanëtarësimit (IPA) të mbeten mjetet kryesore për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se mjetet nga plani për reforma dhe rritje ekonomike të jenë vetëm shtesë e jo zëvendësim i këtyre instrumenteve.