Arbëri

PDK: S’e votojmë planin për “Kalabrinë”, Rama po e vë publiken në shërbim të kompanive private

Kuvendi Komunal - Prishitnë

Foto:Arkiv

Ish-drejtoresha e arsimit në komunën e Prishtinës nga radhët e PDK-së, Besianë Musmurati, ka thënë se nuk do ta votojnë planin për lagjen “Kalabria” dhe akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për siç ka thënë, vënie të pronës publike në shërbim të kompanive private në lagjen “Kalabria”. 

Ajo ka pyetur nëse rasti i Badocit me prona është duke u përsëritur edhe në këtë lagje. 

“Në Badoc, Përparim Rama u mundua që ta tjetërsojë pronën publike për të akomoduar kërkesat e disa kompanive të ndërtimit të afërta me të. Në planin e propozuar për lagjen Kalabria, prapë mbi 15 hektarë të pronës publike po vihen në shërbim të disa kompanive të ndërtimit. Në të dyja rastet, në Badoc dje dhe në ‘Kalabri’ sot, Përparim Rama po tregon që është shndërruar në një zyre projektuese që nuk e sheh pronën publike si hapësirë për qytetarët, por veç si tokë për ndërtim”, ka shkruar Musmurati në Facebook.

Ajo ka thënë se PDK-ja në Prishtinë ka qenë gjithmonë e qartë sa i përket Badocit dhe se “prona publike nuk mund të tjetërsohet me asnjë kusht. 

“Faktikisht, ra Badoci dhe u ndamë. Rrjedhimisht, PDK-ja nuk ka votë për ketë plan të ‘Kalabrisë’, përmes së cilit po provohet të kontrabandohet prona publike në kurriz të banorëve. Ne nuk e kemi anuluar planin e kaluar, që sot të miratojmë një tjetër plan që ka synim akomodimin e interesave të disa kompanive të ndërtimit. Kjo më së miri shpërfaqet aty ku sot është Stacioni i Autobusëve, ku mbi 15 hektarë tokë publike po parashihet të jepen për kompani të ndërtimit”, ka shkruar ajo.

Musmurati ka theksuar se PDK-ja do të jetë gjithmonë kundër krijimit të lagjeve, siç ka thënë ajo që janë më pak të jetueshme. 

“Përpjekja me Badocin dje, me Stacionin e Autobusëve sot, me Pishinën e Gërmisë dhe me kushedi se çfarë hapësire publike tjetër nesër, tregon qartë për çfarë qëndron Përparim Rama. Kjo gjithashtu tregon edhe për çfarë PDK-ja do të jetë gjithmonë kundër. ‘Ulpiana’, ‘Dardania’ e ‘Bregu i Diellit’ janë lagje të Prishtinës që janë zhvilluar para më shumë se 40 vjetësh. Vlera e këtyre lagjeve qëndron pikërisht mbi faktin se si janë planifikuar. E sot në vitin 2024 po tentojmë të krijojmë lagje që janë më pak të jetueshme sepse tjetërsojnë pronën publike. Jo me votën tonë”, ka shkuar Musmurati. 

Ajo ka thënë se PDK-ja në Prishtinë gjithmonë do të mbështesë planet të cilat kanë në qendër interesin e qytetarëve, janë të jetueshme dhe mbrojnë pronën publike. 

"Do të votojmë planin e Kalabrisë atëherë kur respekton banorët, rritë vlerën e tokës së tyre por edhe e krijon një ambient të jetueshëm për ta”, ka shkruar ajo.