Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta bëjë të qartë planin strategjik për veriun. Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, Musliu ka thënë se Qeveria i ka lënë institucionet në terr informativ për situatën në veri.
“Ne si Parti Demokratike e Kosovës, kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që ta bëjë të qartë planin konkret dhe strategjinë qe e ka për veriun. Deri më tani si institucione të vendit, si Parlament dhe si qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi në terr informativ sa i përket llogaridhënies së Qeverisë së Kosovës në raport me veriun e Kosovës”, ka theksuar Musliu.
Ajo i ka bërë thirrje Qeverisë që ta bëjë të qartë planin strategjik që e ka për veriun. “Nuk mjafton vetëm t’i dërgojnë forcat policore atje dhe të jemi në një status-quo të cilën jemi tani, pa ndonjë rrugëdalje”, ka theksuar Musliu.
Ajo ka deklaruar se PDK-ja e mbështet Qeverinë e Kosovës në raport me veriun dhe luftimin e bandave kriminale atje, por sipas saj, ata duhet ta kenë të qartë planin strategjik të Qeverisë për veriun.
PDK-ja akuzon VV-në për bojkotim të Projektligjit për pensionet e policëve
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu dhe Rashit Qalaj, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, kanë akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për dështimin e votimit në parim të Projektligjit për pensionet e zyrtarëve policorë në Komisionin për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes.
Deputetja Musliu ka theksuar se bojkotimi i këtij projektligji nga ana e partisë në pushtet po ndodh sepse këtë projektligj e ka hartuar PDK-ja.
“Shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me dështimin tri herë radhazi të Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, për të proceduar me Projektligjin që rregullon pensionet e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore. Që nga 17 nëntori 2022, me bojkotimin e Lëvizjes Vetëvendosje në tri mbledhje radhazi është pamundësuar kourumi që të votohet në parim ky projektligj dhe t’i dërgohet seancës”, ka theksuar Musliu.
Ajo ka theksuar se me këtë projektligj janë propozuar katër lloje të pensioneve, i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar.
“Përmes tij, do të rregullohen dhe përcaktohen kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve, si dhe përcakton kategorizimin e pensioneve për pensionin për zyrtarët policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore dhe familjarët e tyre. Me këtë Projektligj janë propozuar katër lloje të pensioneve dhe atë: Pensioni i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar”, ka deklaruar Musliu.
Ajo i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti dhe deputetëve të Vetëvendosjes që t'i lënë anash, siç ka thënë, inatet politike dhe ta mbështesin miratimin e këtij projektligji në Kuvendin e Kosovës.
“Kurajo dhe angazhimi që ata kanë treguar së fundmi është tregues i qartë se ne kemi zyrtarë të gatshëm për të garantuar funksionimin e shtetit ligjor në tërë territorin tonë. Por, gjithçka që u duhet është mbështetja e parezervë e Qeverisë së Kosovës ndaj tyre. Mosplotësimi i tërësishëm i nevojave dhe kërkesave të Policisë së Kosovës deri më tani është shqetësues. Ne kërkojmë që urgjentisht dhe pa vonesa, Qeveria të siguroj gjithçka që duhet, që policët tanë të kenë kushtet e nevojshme për të zbatuar rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës”, ka theksuar Musliu.
Ndërkaq, deputeti Rashit Qalaj, ka thënë se PDK-ja do të insistojë që ky projektligj të kalojë.
“Ky ligj t’i mundësojë Policisë së Kosovë që t’i rris kapacitetet operacionale të saj gjithmonë duke pasur në konsideratë që policët e Kosovës që janë në moshë të shtytë dhe ata me sëmundje të rënda të dalin sa më shpejtë në pension, ta kenë një pension të dinjitetshëm dhe gradualisht me pensionimin e tyre të rekrutohen gjenerata të reja të kadetëve policorë në Policinë e Kosovës”, ka thënë Qalaj.
Qalaj ka kërkuar që Qeveria të mendojë urgjentisht për sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor të Policisë së Kosovës.
“Përveç Ligjit për Pensionim të Parakohshëm të mendojë urgjentisht për sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor, gjithmonë duke pasur parasysh gjendjen që e kemi sot, angazhimin e Policisë sidomos në komunat veriore të vendit, angazhimin e tyre me orar të zgjatur dhe në kushte shumë të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e tyre”, ka deklaruar Qalaj.