Kryeministrit Albin Kurti e kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, nuk do t`iu bashkohen dy partitë e tjera opozitare për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Lidhja Demokratike e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e përkrahin opsionin e mbështetur nga Kurti e Krasniqi për shpërndarjen e Kuvendit. Kërkojnë dorëheqjen e Kurtit ose votimin e mocionit për rrëzimin e Qeverisë
Partia Demokratike e Kosovës është i vetmi subjekt në opozitë që është në linjë me opsionin e pushtetit për shkuarjen në zgjedhje: përmes shpërndarjes së Kuvendit.
Dy partitë e tjera opozitare, LDK-ja e AAK-ja, nuk kanë ndryshuar qëndrim në lidhje me atë se me pranimin e një opsioni të tillë, nga ekzekutivi faji bartet te legjislativi. Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një deklarate për media, të martën, dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti e ka vlerësuar të vetmin opsion për shkuarjen në zgjedhje.
“LDK-ja është e gatshme të kërkojë besim qytetar, e gatshme të marrë përgjegjësinë para sfidave, e gatshme të implementojë ‘Rrugën e Re’ si program zhvillimor, të djathtë e euroatlantik. Për këtë duhet dorëheqja e kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data. Ky është rendi i gjërave”, thuhet në deklaratë.
Ky subjekt politik ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës se është bërë instrument i kryeministrit, duke iu referuar darkës të së hënës ndërmjet liderit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atij të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Pas tre vjet e gjysmë populizëm dhe pa ndonjë progres thelbësor, pas tre vjet e gjysmë polarizimi, ndarjeje shoqërore e nxitje të propagandës pa asnjë konsideratë njerëzore e politike, kryeministri i Kosovës ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh. Fatkeqësisht, në këtë instrumentalizim ka gjetur aleatin. LDK-ja nuk e pranon këtë instrumentalizim në asnjë rrethanë”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
Kjo parti ka kërkuar nga të gjitha partitë politike që të kërkojnë e punojnë vetëm në këtë drejtim, të dorëheqjes së kryeministrit.
“LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje të prearanzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave. LDK-ja fton të gjitha palët politike, që në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur”, thuhet tutje në deklaratë.
E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një deklarim për media të martën, ka thënë se Kurti është duke u munduar të gjejë një dalje që e amniston atë nga keqqeverisja.
Tahiri ka thënë se Aleanca mbështet shpërndarjen e Kuvendit vetëm si rrjedhojë e shkarkimit ose dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti.
“Shpërbërja e Parlamentit, për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës mund të ndodhë vetëm atëherë kur kryeministri shkarkohet ose dorëhiqet. Problemi është që me qeverisjen në vend, problem i Kurtit është me e vendos Kosovën në një proces emergjent, me i ikë ballafaqimit me të vërtetën”, ka thënë ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës refuzuan të takohen me kryeministrin Albin Kurti të hënën. Ndonëse ftesa ishte në lidhje me agjendën legjislative, pas takimit kryeministri Kurti e kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, thanë se kanë diskutuar edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve.
Kurti është shprehur i gatshëm që të votojë shpërndarjen e Kuvendit, por tha se paraprakisht duhet të ketë konsensus mes të gjitha partive, e për këtë u shpreh se do të angazhohet edhe Krasniqi.
LDK-në e AAK-në, në lidhje me zgjedhjen e formës së shkuarjes në zgjedhje, i ka kritikuar drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu. Sipas tij, pas refuzimit të tyre për të shpërndarë Kuvendin, LDK-ja e AAK-ja për alternativë kanë përfundimin e mandatit të plotë të Qeverisë e shkuarjen në zgjedhje të rregullta.
“S’di pse alternativen e tyre politike duhet ta fokusojnë në formë, se si i ndërpritet mandati kësaj qeverisjeje!? Gjithnjë forma ka rëndësi se si një veprim politik pranohet dhe perceptohet nga publiku, por jo mbi përmbajtjen. Përmbajtja është thelbësore në politikë. Më shumë se sa forma, se si të arrihet ndërprerja e një mandati të një qeverie, politikisht për opozitën është zgjidhje më e mençur ndërprerja e një mandati të qeverisë para kohe, sesa shkuarja në zgjedhje të rregullta. Dhe përmbyllja e një mandati qeverisës dhe shkuarja në zgjedhje të rregullta, janë formë e ndikimit dhe perceptimit në publik!?”, ka shkruar Kryeziu.
Asnjëra prej subjekteve politike nuk i ka votat e mjaftueshme për të shkuar në zgjedhje përmes formave që i mbështesin.
Vetëvendosje e PDK-ja nuk i kanë 80 vota për të shpërndarë Kuvendin. E LDK-së e AAK-së u mungojnë po ashtu 61 votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, opsion i cili është i parealizueshëm edhe me përkrahjen e PDK-së.