Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK para Qeverisë: Bllokada e institucioneve po dëmton edhe komunat

pdk

Deputetë të PDK-së dhe përfaqësues të Aleancës kanë kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të kthehet në Kuvend dhe të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit të institucioneve, duke vlerësuar se bllokada po shkakton pasoja edhe për komunat e Kosovës.

Protestës së Grupit Parlamentar të PDK-së para ndërtesës së Qeverisë sot i janë bashkuar edhe asamblistë dhe aktivistë nga Komuna e Ferizajt dhe Hani i Elezit. Pjesëmarrësit kërkuan funksionalizimin e institucioneve qendrore dhe sqarimin e situatës juridike që, sipas tyre, po ndikon edhe në raportet ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, duke iu referuar një aktgjykimi të Gjykatës Supreme, tha se Kurti duhet të zgjedhë mes mandatit të deputetit dhe funksionit në Qeveri.

“Aktgjykim të Gjykatës Supreme thuhet qartë. Kryeministër dhe deputet nuk mund të jesh. Duhet të zgjedhësh. Deputet dhe ministër nuk mund të jesh. Duhet të zgjedhësh. Prandaj i bëj ftesë deputetit Albin Kurti, gjegjësisht vandalit politik që t’i ndalë këto vandalizma. Të kthehet në parlament, nëse i ka 61 vota ta zgjedhë qeverinë, për t’ia votuar kryetarin dhe nënkryetarin e kuvendit do t’ia votojmë ne, ja bëjmë votat edhe ne edhe aleanca, dhe të fillon së funksionuari ky shteti”, tha ai.

Kryetari i Aleancës në Ferizaj, Alberton Sahiti, tha se komunat po përballen me probleme si pasojë e mosfunksionimit dhe mungesës së përkrahjes nga niveli qendror.

"Kurrë më shumë se sot nuk i bëjmë thirrje këtij personi, këtij individi, që të thërrasë seancat, të mos bllokojë vetëm institucionet qeverisëse mirëpo të mos bllokojë edhe komunat. Jemi në një prag, jo të mirë, jemi në një gjendje të jashtëzakonshme edhe komunat edhe komplet Kosova nuk mendoj që ne i kemi borxh gjithë atyre njerëzve që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë vend, për këto institucione”, tha Sahiti.

Edhe PDK-ja dhe Aleanca e ftojnë “deputetin Kurti” t’i formojë institucionet e reja LAJMET E MBRËMJES PDK-ja dhe Aleanca e ftojnë “deputetin Kurti” t’i formojë institucionet e reja

Ndërsa shefi i Grupit të asamblistëve të PDK-së në Ferizaj, Arian Imeri, tha se protesta është edhe në emër të përfaqësuesve komunalë dhe pjesëtarëve të ekzekutivit lokal nga regjioni i Ferizajt.

“Moskonstituimi i institucioneve qendrore nuk është një krizë politike e radhës në Prishtinë, po është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj çdo komune, ndaj çdo familje dhe ndaj çdo lagje në komunat nga vijmë. Prandaj kjo do të kërkojmë që të bëhet një zgjidhje sa më shpejt sa i përket formimit të institucioneve. Njëherit një pasiguri juridike sa i përket komunikimit në mes të institucioneve qendrore dhe institucioneve lokale, prandaj kërkojmë edhe nga organet e drejtësisë që sa më shpejt ta sqarojnë këtë situatë. Raportet në mes të institucioneve komunale dhe institucioneve qendrore kërkojnë institucione funksionale, kërkojnë vendimmarrje të ligjshme me idenë që vendimet, proceset të cilat fillojnë tani mos të kontestohen nesër, sepse pasojat pastaj juridike, financiare po i bartin qytetarët tanë”, tha ai.