Nënkryetarja e PDK-së, Besianë Musmurati dhe shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, kanë folur për planin rregullues për “Kalabrinë” që u votua të hënën në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Në konferencë për media, ata kanë thënë se 15 hektarë të pronës publike përreth Stacionit të Autobusëve është dhënë për ndërtim të lartë.
Planin kaloi në Kuvendin Komunal të Prishtinës me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosjes, pasi u bënë disa ndryshime në të.
PDK-ja e braktisi seancën gjatë votimit. Ajo tha se historia e shpronësimit të Badocit po përsëritet në Kalabri.
“Në Badoc, Përparim Rama u mundua që ta tjetërsojë pronën publike për të akomodu kërkesat e disa kompanive të ndërtimit të afërta me të. Në planin për lagjen Kalabria, prapë mbi 15 hektarë të pronës publike u vënë në shërbim të kompanive të ndërtimit”, tha Retkoceri.
Ndërsa nënkryetarja e PDK-së, Besianë Musmurati theksoi që edhe më shqetësues është fakti se Përparim Rama nuk do të ndalet vetëm me planin e “Kalabrisë”.
“Ai do të sjellë për votim plane të tjera që përsëri mund të tjetërsojnë pronën publike”, tha Musmurati.