Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që seanca e sotme e Kuvendit t’i kushtohet përgjimit në të cilin është përfshirë shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe terroristit Milan Radoiçiq.
Tahiri të enjten në seancë ka thënë se nuk do të bashkëpunojnë e as nuk do të votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtarë përderisa Kusari-Lila do të vazhdojë të jetë si shefe e GP të LVV-së.
“Nuk do të bashkëpunojmë, nuk do të votojmë marrëveshje ndërkombëtare as çështje të tjera përderisa e keni në krye të grupit një person që e ka kontaminuar këtë Kuvend”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kërkuar që debati për çështjen e përgjimit të vendoset në rend dite pa procedura, diçka të cilën e ka konsideruar të pamundur kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, i ka quajtur këto pretendime si "shpifje dhe fabrikim".
Mediumi “Paparaci” të mërkurën ka publikuar një përgjim në të cilin Kusari-Lila bisedon me terroristin Milan Radoiçiq. Flasin për votimin e pagës minimale e votimin e një gjyqtari të Kushtetueses. Kusari-Lila e ka quajtur “të montuar” përgjimin.
VIDEO:
