Zenun Elezaj u betua të martën për mandatin e ri për kryetar të Komunës së Klinës pa praninë e këshilltarëve të PDK-së, të cilët lëshuan sallën shkaku i dënimit që i ka shqiptuar Elezajt javën e kaluar Gjykata e Pejës. Derisa për kryesues të Kuvendit u rizgjodh Fadil Gashi i LDK-së. AAK nuk ka pas fare kandidat të propozuar për kryesues të Kuvendit dhe këtë mundësi ja kishte dhënë LDK-së, pasi AAK nuk i kishte pas numra të mjaftueshëm për të zgjedh një kanditat të saj për këtë post.
Me betimin e këshilltarëve të ri, të martën është konstituuar përbërja e re e Kuvendit Komunal të Klinës për katër vitet e ardhshme.
Në këtë seancë solemne, në të cilën të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme si dhe qytetarë, betimin e ka dhënë para Kuvendit edhe kryetari i Komunës, Zenun Elezaj, për të cilin është mandati i dytë radhazi.
Por në momentin kur ai dha betimin, në sallë nuk ishin këshilltarët e PDK-së, të cilët e lëshuan sallën.
“Në emër të grupit të këshilltarëve të PDK-së në Kuvend, shprehi qëndrimin e PDK-së lidhur me betimin e kandidatit për kryetar, Zenun Elezaj. PDK, edhe përkundër vullneti të mirë të kësaj fryme inauguruese, nuk do të qëndrojë në sallë gjatë kohës së betimit të tij për kryetar të Komunës, për arsye se Zenun Elezaj ka një dënim për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Prandaj ne mendojmë se qytetarët nuk e meritojnë një kryetar të dënuar nga gjykata”, tregoi këshilltari i PDK-së, Kushtrim Halitaj, arsyen pse do të dalin nga salla.
Ata u kthyen serish pasi Elezaj dha betimin.
Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, të mërkurën e kaluar u dënua me 4 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore e Pejës, për veprën penale konflikt interesi.
Prokuroria Themelore në Pejë e kishte akuzuar Elezajn se në shkurt të vitit 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij do të aplikojë në pozitën e mjekës së praksës së përgjithshme në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.
Sipas aktakuzës, Komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë” në Klinë.
Gjykata e kishte hedhur poshtë propozimin e Prokurorisë për shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit, nga fakti se vajza e tij më nuk punon në atë pozitë. E pasi dolën këshilltarët e PDK-së, Zenun Elezaj u betua për mandatin e ri si kryetar, por nuk e komentoi veprimin e tyre,
Mirëpo në një prononcim për KOHËN, Elezaj nuk u tregua i befasuar për veprimin e tyre, pasi sipas tij edhe para katër viteve kur është betua për kryetar në mandatin e tij të parë, këshilltarët e PDK-së e kishin lëshuar sallën. “Ata nuk mund shohin Kuvendin Komunal apo Komunën me dikë tjetër, jashtë tyre. E sa për dënimin e shqiptuar nga gjykata, unë e kam dhënë komentin tim në faqen time zyrtare”, u shpreh Elezaj.
Për dënimin e shqiptuar nga Gjykata e Pejës, ndaj të cilit Elezaj ka paralajmëruar ankesë, në faqen e tij zyrtare në Facebook, kishte shkruar se gjykimi ndaj tij ka qenë vendim i pastër politik.
“Për fatin tim të mirë që afatet kohore nuk janë përshtatur me zgjedhjet lokale, se forca të errëta, që duket se e kanë prekur edhe Gjykatën në Pejë, do ta shfrytëzonin këtë mundësi politike duke e vënë gjykatën në shërbim politik”, ka qenë komenti i Elezajt për atë dënim.
E përveç betimit të kryetarit dhe këshilltarëve për mandatin e ri katërvjeçar, në seancën inauguruese të Kuvendit, është përzgjedh edhe kryesuesi i ri i Kuvendit Komunal të Klinës.
Në këtë post, këshilltarët e zgjodhën anëtarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së Fadil Gashi, i cili ishte edhe mandatin e kaluar kryesues i Kuvendit sikurse edhe në mandatin 2010-2013.
Për postin e kryesuesit, Gashi nuk pati asnjë kundërkandidat, madje as nga radhët e AAK-së si subjekt fitues i zgjedhjeve në Klinë.
Drejtuesi i seancës inauguruese të Kuvendit, Tunë Dedaj i AAK-së, e bëri të ditur para Kuvendit se AAK nuk do të ketë kandidat dhe ky subjekt i ka bërë kërkesë LDK-së që ta jep propozimin e saj për kryesues të Kuvendit. LDK propozoi Fadil Gashin derisa subjektet tjera nuk patën asnjë propozim tjetër. Me shumicën e votave, Gashi u zgjodh kryesues i Kuvendit. Përzgjedhja e tij si kryesues mund të ketë qenë një shenjë e koalicionit të mundshëm të AAK-së me LDK-në në qeverisjen e Klinës në mandatin e ri, por këtë e mohuan Gashi, si dhe kryetari Zenun Elezaj.
“Përzgjedhja ime si kryesues i Kuvendit nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë marrëveshje me AAK-në për ndonjë koalicion. Letra e AAK-së drejtuar LDK-së është bërë në shenjë të zgjedhjes dhe konstituimit të organeve. Kuvendi i Komunës nuk quhet i konstituar përderisa nuk zgjidhet kryesuesi. Dhe në këtë rast AAK nuk e ka pas shumicën dhe meqë këtë nuk e kishin, në letër kanë shkruar se po na e ofrojnë këtë mundësi të bashkëpunimit vetëm përzgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit. Por nuk ka qenë ofertë për koalicion”, tregoi Gashi për KOHËN arsyen pse AAK kishte hequr dorë nga pozita e kryesuesit të Kuvendit. Mungesën e numrave në Kuvend e ka potencuar si arsye edhe kryetari Zenun Elezaj.
“Përzgjedhja e Fadil Gashit për kryesues të Kuvendit nuk është asnjë shenjë e përafrimit apo mundësinë se një koalicioni mes AAK-së dhe LDK-së. Duke pas parasysh që AAK nuk i kishte numrat e mjaftueshëm me zgjedh vet kryesuesin nga radhët e AAK-së, atëherë i kemi bërë ofertë LDK-së që ta propozojnë kryesuesin e Kuvendit, derisa Fadil Gashi në mandatin e kaluar ka qenë vërtet kryesues unifikues”, u shpreh Elezaj për KOHËN. Ai pohoi se aktualisht nuk ka asgjë rreth një koalicioni të mundshëm me ndonjë subjekt politik të përfaqësuar në Kuvendin Komunal. “Ne do t’i hymë vetë mandatit të ri si AAK dhe konstituimit të organeve të ekzekutivit të ri. Dhe do të zgjedh drejtorë kompetent dhe ekspertë të fushave për drejtoritë komunale dhe drejtorët do t‘i zgjidhi edhe nga jashtë subjektit të AAK-së”, pohoi Elezaj.
Kuvendi Komunal i Klinës ka 27 ulëse dhe pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja për Kuvendet Komunale, në legjislaturën e re në Kuvendin Komunal të Klinës, AAK si fituese e zgjedhjeve në Klinë ka 11 anëtarë, PDK ka 7, LDK 6 këshilltarë dhe LVV i ka tre. Për shumicën në Kuvend, AAK-së i nevojiten së paku edhe tre anëtarë.