Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se subjekti që ai e drejton me kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza, do t’i hyjnë garës për t’i fituar zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm, ndërsa ka theksuar se gatishmërinë për t’iu drejtuar kutive të votimit e kanë pasur qysh në qershor të këtij viti.
Kreu i PDK-së ka thënë se parimisht nuk kanë vija të kuqe me partitë e tjera pasi në këtë formë “ofendohen dhe përjashtohen votuesit e tyre”, ndërsa bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje e sheh jofunksional.
Ai ka shtuar se janë të bindur që do ta krijojnë shumicën shqiptare dhe shumicën parlamentare që do ta udhëheqin vendin pas 9 shkurtit.
“PDK-ja hynë në garë për t’i fituar këto zgjedhje, për të marr besimin qytetar, për të dal e para dhe normalisht pas asaj nëse ka hapësirë për të diskutuar me partitë që janë të përafërta me bindjet tona politike programore, ideologjike dhe me programin që do ta bart Hamza, normalisht që kemi bërë në të kaluarën dhe do të bëjmë edhe në të ardhmen. Unë gjithmonë do ta konfirmoj që ne parimisht kurrë vija të kuqe nuk kemi pasur, nuk kemi dhe as nuk do të kemi. Por, parimisht sepse konsiderojmë edhe kemi konsideruar që kur i thua dikujt kam vija të kuqe ndaj teje, ti e ofendon edhe i përjashton votuesin e tij. Jo domosdoshmërisht individin që e përfaqëson atë dhe në fund të fundit ne të gjithë jemi votues të Kosovës, gjithë jemi shqiptarë, por preferencat tona janë të qarta, nuk kemi preferenca me pas çfarë do lloj bashkëpunimi me VV-në sepse hendeku mes nesh i të kaluarës por edhe i tashmes është shumë i madh dhe nuk do të funksiononte një marrëveshje e tillë”.
Krasniqi ka thënë se si PDK kanë qenë të gatshme për zgjedhje qysh në qershor të këtij viti.
“Tash kemi një hapësire kohore më të gjatë ku edhe dinamika pa dyshim e fushatën zgjedhore dhe e komunikimit tonë drejt për drejt me qytetarët, ka ndryshuar me qenë se është një fazë me e gjatë... Është tepër e nevojshme dhe e domosdoshme që të mos mbetemi peng i diskutimeve për të kaluarën, por të diskutojmë për të tashme dhe të ardhme. Të flasim se çka duhet të bëjmë nesër si qeveri për të ju ofruar perspektive dhe mundësi qytetarëve tanë në mënyrë të veçantë të rinjve tanë, në mënyrë që edhe kjo dinamik e madhe e largimit të tyre nga Kosova të ndalet, të flasim se çka mund të bëjmë për të përmirësuar shëndetësinë, çka mund të bëjmë për të ndihmuar ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, karshi çmimeve enorme dhe rritjes që ka ndodhur gjatë viteve të fundit, si duhet t’i ndihmojnë bizneset dhe sektorin privat”, ka thënë ai.