Arbëri

PDK-ja në Mitrovicë akuzon Komunën për shkelje ligjore

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Mitrovicë, ka akuzuar Komunën e Mitrovicës për një sërë shkeljesh të pasqyrave financiare gjatë vitit 2019, të cilat janë publikuar nga Zyra Kosovare e Auditimit për këtë komunë.

Nënkryetari i PDK-së në Mitrovicë, Arian Tahiri, gjatë një konference për media të mbajtur sot, ka potencuar 20 shkeljet e gjetura nga ZKA, duke përmendur keq klasifikimin e shpenzimeve në kategori ekonomike jo adekuate, parregullsi në kalkulimin e të hyrave nga tatimi në pronë, parregullsi në lëshimin e lejeve të ndërtimit, nënshkrimin e kontratave përtej vlerës së parashikuar të buxhetit etj.

“Projekti ‘Rregullimi i shtratit të lumit Sitnica’ në Mitrovicë vlera e parashikuar dhe e buxhetuar për tre vite ishte 3 milionë e 100 mijë euro, ndërsa kontrata ishte nënshkruar në vlerë 6 milionë e 45 mijë 726 euro, me një diferencë prej 2 milionë e 945 mijë e 726 euro. Pastaj ‘Rregullimi i shtratit të lumit Ibër’, vlera e parashikuar dhe e buxhetuar për tre vite ishte 950 mijë euro, ndërsa kontrata ishte nënshkruar në vlerë prej 1 milion e 777 mijë e 427 euro, apo 827 mijë e 427 euro më e lartë se vlera e parashikuar”, ka thënë mes tjerash Tahiri, raporton KP.

Ai ka bërë thirrje prokurorisë së shtetit dhe organeve të tjera përgjegjëse që të ndërmarrin veprimet e nevojshme, pasi që siç u shpreh ai, duke ju referuar raportit, tashmë ekzistojnë arsyet ligjore që kryetari i komunës dhe drejtuesit e tjerë të jenë subjekt trajtimi nga këto organe.