Arbëri

PDK-ja në Lipjan akuzon qeverisjen lokale për keqpërdorim të parasë publike

Subjekti opozitar PDK, dega në Lipjan, nëpërmjet një komunikate për media ka kritikuar ekzekutivin e Lipjanit me arsyetim se ka varfëruar qytetarët për dy mandate me radhë. Sipas këtij subjekti, po keqmenaxhohet me paranë publike derisa subvencionet po ndahen për njerëzit e afërt të ekzekutivit, ndërkaq po anashkalohen qytetarët.

“Ekipet profesionale të PDK-së gjatë hulumtimeve në terren vazhdimisht kanë vërejtur se ky pushtet është i kapur nga disa persona dhe po e keqpërdor paranë publike në Lipjan. Nga të dhëna zyrtare del se Komuna e Lipjanit ka një numër të madh të qytetarëve me asistencë sociale dhe krejt kjo ndodh se Ekzekutivi nuk ka ndonjë program për hapje të vendeve të punës. Me këto vende që i ka në dispozicion, gënjen dhe shantazhon shumicën e tyre duke shtyrë dhe mbajtur me shpresë për t’u punësuar”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas tyre, konkurset po hapen vetëm për militantë partiak dhe ndërkohë po “kurdisen” ato.

“Sipas statistikave që kemi pranuar del se Komuna e Lipjanit është e katërta e renditur pas Mitrovicës, Prishtinës dhe Vushtrrisë me numrin e madh të qytetarëve në asistencë sociale. Meqenëse këtij menaxhimi po i vije fundi, PDK-ja ka në vete planin konkret për të menaxhuar dhe kaluar këtë situatë të rënduar të qytetarëve të Komunës së Lipjanit”, thuhet më tej.

Hyzer Rizani, kryetar i PDK-së, dega në Lipjan, ka thënë për KOHËN se ekzekutivi, pikërisht zyra e kryetarit po vazhdon të ndaj mijëra euro subvencione për njerëzit me ngjyrime politike.

“Subvencionet po keqpërdoren sepse asnjëherë nuk bëhen publike shpenzimet e tyre dhe realizimi i projekteve të caktuara qoftë nga OJQ-të, mediat apo edhe individët e caktuar. Personat të cilët po vazhdojnë të përfitojnë subvencione janë kryesisht njerëz të afërt me ekzekutivit. Ne dyshojmë se organizatat dhe mediat po përfitojnë para të majmje nga ekzekutivi me qëllim që përformaca e ekzekutivit të publikohet sa më mirë në opinion, prandaj konsiderojmë se edhe në këtë rast po keqpërdoren subvencionet dhe buxheti i taksapaguesve e, në anën tjetër po varfërohen qytetarët të cilët po anashkalohen në mënyra të ndryshme”, ka kritikuar Rizani.

Ndërkaq sa i përket subvencioneve, edhe Auditori i Përgjithshëm në raportin e vitit 2020 i cili është publikuar ditë më parë, ka gjetur një varg shkeljesh. Sipas Auditorit buxheti final për subvencione dhe transfere ishte prej 628,025€, prej tyre në 2020 ishin shpenzuar 592,738€. Ato kanë të bëjnë kryesisht me subvencionet për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural, për kulturë rini dhe sport, shëndetësi dhe përkujdesje sociale, për komunitete etj.

Ndërkohë, Auditori ka testuar pesë mostra për teste substanciale në vlerë prej 62,542€ si dhe pesë mostra për teste të pajtueshmërisë.

“Përfituesi i subvencionit KF ’’Arbëria ‘’ Dobrajë e Madhe në vlerë prej (19,970€) dhe KF ’’Ulpiana‘’ në Lipjan 15,000€, kishin sjellur raportet brenda afatit ligjor, por kishte mungesë të dëshmive/faturave për shpenzimet e raportuara. Te përfituesi i parë, vlera prej 5,545€ nuk është e mbuluar me fatura, ndërsa te përfituesi i dytë, mungonin faturat për vlerën e paguar prej 6,834€”, thuhet midis të tjerash në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Sipas këtij raporti sqarimet nga komuna janë se zyrtari përgjegjës për monitorimin e zbatimit të kontratave të klubeve sportive përfituese të subvencioneve për vitin 2020, për arsye mjekësore, nuk ka qenë në nivelin e kryerjes së detyrës.

“Mungesa e kontrolleve në monitorimin dhe raportimin për projektet e financuara nga komuna, ndikon në shpenzimin e mjeteve për qëllime tjera që nuk janë të paraqitura me kontratë dhe ekspozimin e pa rregullsive të shpenzimit të fondeve publike. Kryetari duhet të sigurojë që zyrtari përgjegjës për monitorim dhe zbatim të projekteve të subvencionuara, zbaton të gjitha procedurat e kontrollit, dhe nëse përfituesit e subvencionuar në raportimin e tyre nuk arrijnë të arsyetojnë shpenzimet sipas kontratës, të zbatohen masat e përcaktuara me kontratë”, thuhet më tej në raport.

Rreth raportit të Auditorit dhe rreth kritikave të opozitës, Koha ka provuar të marrë një deklaratë nga zëdhënësi i Komunës Diamant Bytyqi, por ai nuk ka qenë i qasshëm.