Për punësimin e 18 personave jashtë numrit të paracaktuar në tender, Partia Demokratike në Gjilan ka deponuar kallëzim penal ndaj kryetarit Alban Hyseni. Sipas PDK-së, me anë të kësaj kontrate janë shkelur Ligji për prokurim dhe ai për financa publike. Në Komunë i kanë mohuar akuzat, duke thënë se angazhimi i profesionistëve është bërë për të mbuluar mungesat evidente në staf
Drejtuesit e Degës së PDK-së në Gjilan kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore ndaj kryetarit të kësaj komune, Alban Hyseni.
Ata pretendojnë se ai ka keqpërdorur tenderin në vlerë prej afro 500 mijë euro, për punësimin e 46 punonjësve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, përmes një operatori ekonomik.
“Ky tender i cili është dhënë për tre vjet, në vlerë prej 500 mijë eurosh, kryetari i komunës ka arritur që ta shpenzojë brenda një viti dhe të tejkalojë numrin e punëtorëve, sepse në tender ka kërkuar që të jenë të punësuar 28 dhe numri ka shkuar në 46”, ka thënë Riad Rashiti të hënën.
Sipas tij, tejkalimi i numrit të të punësuarve është bërë për shkak të afrimit të zgjedhjeve lokale.
“Prej familjarëve të ngushtë të drejtorëve komunalë, duke filluar prej drejtorit të shërbimeve publike që e ka dërguar motrën aty tani edhe drejtorëve të tjerë të komunës, edhe deputetëve. E kemi një deputete të nderuar, e cila kurrë nuk ua ndanë punësimeve familjare në çdo konkurs, edhe në këtë rast me kontratë në vepër ka arritur përmes tenderit të punësojë së paku 3”, ka shtuar ai.
Në Komunën e Gjilanit dhe në Drejtorinë e Shëndetësisë nuk pranuan të flisnin për këtë çështje.
Mirëpo përmes një reagimi, drejtori Hekuran Rapuca ka thënë se punësimi i këtyre punonjësve është bërë në formë urgjente dhe të përkohshme.
“Angazhimi i profesionistëve shëndetësorë në QKMF përmes operatorit ekonomik “KOSOVAMED” është bërë në mënyrë të përkohshme dhe urgjente, për të mbuluar mungesat evidente në staf dhe për të garantuar funksionimin e shërbimeve bazike për qytetarët. Ky staf është angazhuar bazuar në nevoja konkrete dhe reale, jo në baza partiake, siç ka qenë praktikë për dekada nga pushtetet e mëhershme. Është skandaloze që individë si Riad Rashiti, të cilët kanë ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi kompaninë fituese të tenderit duke kërkuar punësimin e personave me inicialet V.I dhe A.J., sot dalin në opinion si “mbrojtës të ligjshmërisë”, ka thënë Rapuca.
E në kompaninë që është kontraktuar për angazhimin e punonjësve shëndetësorë kanë thënë se numri i punëtorëve është brenda kontratës së nënshkruar.
Sipas tyre, numri i të punësuarve varet prej nevojave dhe fluksit të punës në QKMF.
“Procedura ka shkuar përmes Organit Shqyrtues të Prokurimit, kemi qenë me çmimin më të lirë, rreth 60 mijë euro dhe kjo +/- 30 për qind vlera e kontratës dhe ligjet e prokurimit publik shikohen nga menaxheri i kontratës sonë dhe menaxherit të kontratës në Komunë, në këtë rast QKMF”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Kosovamed”.
Në njoftimin për kontratë, të publikuar në qershor të vitit të kaluar, thuhet se nga operatori ekonomik kërkohet angazhimi i punëtorëve shëndetësorë, si: minimumi 20 mjekë, 5 stomatologë, 2 infermierë, si edhe një ekonomist e një jurist.