Arbëri

PDK-ja mban Aliun e Bashotën kryetarë degësh në Ferizaj e Klinë

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur kryetarët e moçëm në dy degë, kuvendet zgjedhore për të cilat i ka mbajtur sot.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka marrë mbështetjen e delegatëve në kuvendin zgjedhor në Ferizaj për të udhëhequr degën e PDK-së në këtë komunë. Ndërsa po ashtu, Sokol Bashota është zgjedhur me unanimitet kryetar i Degës së PDK-së në Klinë.

Duke folur para delegatëve Aliu tha se PDK dhe Dekada e Re, përmes këtij procesi po tregon kulturë të lartë demokratike përmes një procesi fer dhe transparent zgjedhor.

Ai tha se në Ferizaj po zgjidhen struktura të cilat do ta vazhdojnë traditën e fitoreve të PDK-së në këtë qytet.

Në emër të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, të pranishmit në Ferizaj i përshëndeti nënkryetari Hajredin Kuçi i cili është edhe kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor në PDK.

“Shumë kush prej juve mundë të pyet dhe ju pyet dikush çka është Dekada e Re. Unë po e them me bindje të plotë, me një fjali thoni është evropianizimi i Kosovës. Kosova është çliruar, Kosova është pavarësuar dhe nuk ka aktivet kombëtar që nga gjithë njerëzit që janë gjallë, që nuk janë në Partinë Demokratike të Kosovës. Ne duhet të jemi mirënjohës edhe për ata ish-të burgosur politik edhe për familjet e tyre edhe për dëshmorët”, tha Kuçi.

Kuvendi zgjedhor në degën e PDK-së në Ferizaj, përveç zgjedhjes së kryetarit, votoi edhe për zgjedhjen e 71 anëtarëve në Këshillin Drejtues si dhe 35 delegatë për Konventën Qendrore.

Ndërsa, punimet e kuvendit zgjedhor në Klinë i ka përshëndetur ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Të gjithë humbësit u bënë bashkë për ta mundur PDK-në në Klinë, por ne do të dalim edhe më të fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Tahiri, duke bërë thirrje që nga ky kuvend, PDK-ja në Klinë të dalë edhe më e fortë.

Delegatët e kuvendit zgjedhor në Klinë po ashtu kanë zgjedhur edhe Këshillin Drejtues dhe delegatët për Konventën e Përgjithshme. 

Image