Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kërkuar shkarkimin e deputetes Fitore Pacolli nga pozita e Kryetare së Komisionit Parlamentar për Bujqësi dhe shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Në konferencën për media të mbajtur të dielën, Mustafa ka thënë se duhet të nisin hetime penale për të verifikuar nëse Peci a ndikuar që një vëlla i deputetes së mazhorancës të përfitojë rreth 100 mijë euro grant.
Ai tutje ka akuzuar pushtetin se po i shfrytëzon dhe shpërdoron institucionet publike për të përfituar nga paratë e taksapaguesve.
“Siç u dëshmua tani më, vëllai i deputetes Pacolli, biznesin e tij e kishte themeluar pas aplikimit për projekt dhe vetëm katër ditë para nënshkrimit të kontratës, gjë që ngre dyshime të mëdha për montimin dhe orkestrimin e përfitimit të këtij projekti, për motive të cilat duhet të zbardhen nga institucionet e drejtësisë”, ka thënë Mustafa.
Ai tutje ka kërkuar që ministri i Bujqësisë të raportojë në Komisionin Parlamentar për Bujqësi.
“Prandaj, ne kërkojmë shkarkimin e Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së këtij komisioni, pasi që konsiderojmë se këtë funksion e ka shfrytëzuar me qëllim të ushtrimit të ndikimit, i cili ka quar në përfitimin e grantit në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllai i saj. Nga ana tjetër, për ministrin Peci, as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë. Ndaj tij kërkojmë që të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro dhe nëse ky përfitim është rezultat i raportit të vartësisë zyrtare që ky ministër e ka me komisionin të cilin e udhëheqë Fitore Pacolli”, ka thënë Mustafa.
Reagon ministri Peci pas kërkesës së PDK-së për shkarkimin e tij, i quan "kriminelë e horra"
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar të dielën pas kërkesës së PDK-së në një konferencë për media, që ai si ministër të shkarkohet, së bashku me deputeten Fitore Pacolli nga pozita e Kryetare së Komisionit Parlamentar për Bujqësi.
Peci ka shkruar në Facebook se nuk do të munden ta ndalin as me ujë e as me plumba, teksa i ka quajtur zyrtarët e PDK-së kriminelë e horra.
“Siç edhe ua kam bërë me dije në fillim të mandatit, nuk mundeni me më ndalë as me ujë e as me plumba! Po e vështroj me kujdes shthurjen mentale të akuzave e shpifjeve! E nisi sulmin paterica e PDK-së, LDK ja e bitisi PDK-ja me kërkesa për shkarkime! Veç pritni kriminela! Nëse deri tash kam treguar etikë në të shprehur, nga tash e tutje do flas më hapur se asnjëherë tjetër e do t'iu demaskoi si kurrë më parë! Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim! Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra”, ka shkruar Peci në Facebook.