Anëtarët e Komisionit për Buxhet Punë dhe Transfere e kanë shqyrtuar dhe miratuar pjesën tekstuale të Projektligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2021. Në shqyrtimin e projektligjit, pati mospajtim nga ana e PDK-së për buxhetin që i është ndarë Radiotelevizionit të Kosovës, ku u kërkua rritja e tij. E sipas Qeverisë, buxheti i RTK-së është i mjaftueshëm.
Me shumicë votash dhe vetëm një abstenim nga deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar pjesën tekstuale për projektligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2021.
Gjatë shqyrtimit të Projektligjit, debat pati vetëm për nenin që kishte të bënte me financimin e Radio Televizionit të Kosovës.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kërkoi rritjen e buxhetit të RTK-së nga ana e Qeverisë.
“E dimë se me Ligjin për RTK-në, 0.7 për qind e financimit të RTK-së është nga buxheti i Kosovës. Këtu nuk është as 0.5 për qind. E kam ngritur këtë çështje edhe në seancë në lexim të parë dhe unë kërkoj që kjo shumë të rritet në bazë të rritjes buxhetore dhe në bazë të Ligjit të RTK-së që është 0.7 për qind e gjithë buxhetit të Kosovës, që i bjen diku 16 milionë e sa për mbështetjen e RTK-së”, ka thënë ai.
Por, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se më nuk vlen ai obligim ligjor.
“Obligimi prej 0.7 për qind ka qenë në vitin e parë pas miratimit të Ligjit dhe ajo kohë tashmë ka kaluar. Për vitet pasuese thuhet që Kuvendi të gjejë një zgjidhje për financim permanent të transmetuesit publik. Kështu që nuk qëndron më ai obligim që u përmend nga deputeti”, është përgjigjur Murati.
Lushtaku tha se buxheti i RTK-së duhet të ngrihet për t’i shmangur krizat më të thella të transmetuesit publik.
Por, me gjithë insistimin e deputetit të PDK-së, ministri tha se Qeveria e konsideron të mjaftueshëm buxhetin aktual që ka RTK-ja.
Kërkesë për rritje buxhetore ka bërë edhe vetë transmetuesi publik, të cilën Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere pritet ta shqyrtojë javën e ardhshme.