Arbëri

PDK-ja kërkon hetim për “mafi energjetike” pas ngritjes së aktakuzës për Krasniqin

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku

Foto: Alban Bujari

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar hetim lidhur me, siç ka thënë ajo, keqpërdorimet milionëshe të tre vjetëve të fundit në fushën e energjisë, pas ngritjes së aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në konferencën për media, Çitaku ka thënë se PDK-ja i jep mbështetje të plotë organeve të drejtësisë për hetimin e “mafisë energjetike”.

“Të gjithë zyrtarët e lartë, ministra e ambasadorë, nën vëzhgimin e të cilëve kanë ndodhur skandalet, nuk kanë dhënë dorëheqje. Prandaj, sot, Partia Demokratike e Kosovës kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësi të plotë, nga të gjithë akterët e përfshirë jo vetëm në këto skandale, por në të gjitha të cilat ende kërkojnë përgjigje: energjia, rezervat shtetërore, mos-deklarimet e pasurisë, skandalet diplomatike. Mos të harrojmë, në periudhën kur kjo Qeveri ia shtrenjtoi energjinë elektrike për 100 për qind qytetarëve tanë, janë dy miqtë e mirë të Kryeministrit Kurti, të cilët erdhën në pozita udhëheqëse përmes favorizimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, Nagip Krasniqi dhe ambasadori Martin Berishaj, si të dyshuarit kryesorë në një skandal të pastër rajonal të korrupsionit masiv, me tregtim të energjisë”, ka thënë ajo. 

Çitaku tutje ka përmendur edhe disa raste, që sipas saj, janë keqpërdorime nga pushteti lokal.

“Gjykata Themelore në Prishtinë dje ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministres së vendit, Donika Gërvallës. Tani, na thoni, si mund ta quajmë ndryshe një pushtet, përveç se korruptiv, për të cilin nuk kalon asnjë muaj pa një skandal të madh të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Edhe një herë, mos harroni: Të gjithë këta njerëz, edhe shumë të tjerë të cilët kanë defiluar gjatë këtyre viteve nëpër lajmet e skandaleve, asnjë nuk ka dhënë llogari”, është shprehur ajo.