Arbëri

PDK-ja i quan apokaliptike paralajmërimet e Kurtit për sulme në veri

Paralajmërimet e kryeministrit Albin Kurti për sulme të reja e ndarja e informacioneve për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit, kanë nxitur reagime. Derisa nga PDK-ja thonë se qëllimi i tyre është mbjellja e pasigurisë, e njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se gjasat për t`u bërë sulme ditëve në vijim janë të vogla.

Apokaliptike i ka quajtur nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, paralajmërimet e kryeministrit Albin Kurti për sulme të reja gjatë festave të fundvitit.

Çitaku ka kërkuar nga Kurti që në vend të paralajmërimeve të tilla, t`i parandalojë sulmet e të krijojë ambient të sigurt.

“Dje në vigjilje të  Kërshëndellave, qytetarët e Kosovës pranuan dy ‘dhurata’ nga Qeveria. E para, ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike shoqëruar me faturat astronomike për qytetarët tanë, dhe e dyta, paralajmërimet apokaliptike të kryeministrit për sulme nga Serbia.  Pra, mantra e vetme operuese e kësaj kaste udhëheqësish është mbjellja e pasigurisë, paparashikueshmërisë dhe frikës. Turp kryeministër! Keni ardhur në detyrë me mandat të fuqishëm për të zgjidhur probleme, jo për t’u bërë faltor.  Kryeministër, detyra e juaj është t’i mbani dritat ndezur, t’i parandaloni sulmet, dhe të krijoni ambient të sigurt. E jo të na thoni ‘shuj, se mundet me u ba edhe ma keq’”, ka shkruar Çitaku.

Kryeministri Kurti, në një konferencë për media pasditen e së martës, tha se nga informacionet që kanë, në Kosovë janë duke u synuar të kryhen sulme të reja para dhe pas vitit të ri.

Krahas këtij paralajmërimi, Kurti ndau edhe detaje për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit në fund të nëntorit. Tha se kanë dëshmi që pas tij qëndron Milan Radojçiqi, ndonëse i njëjti ka tentuar ta shfajësojë veten.

“Pas sulmit ka realizuar telefonata, takime, dhe në bashkëpunim me struktura të larta të shtetit në Serbi, ka ndërmarrë veprime të ndryshme fabrikuese me synim fshehjen e përgjegjësisë së tij, përkatësisht Serbisë. Pas sulmit, Milan Radoiçiq tek rrethi i afërt i tij, ka shprehur pakënaqësi lidhur me rezultatet e sulmit, pasi që pritjet e tij kanë qenë që kanali të dëmtohet tërësisht dhe pakthyeshëm”, ka deklaruar Kurti.

Por, njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku, thotë se gjasat për të ndodhur ndonjë sulm këto ditë janë shumë të vogla.

“Deklarata e kryeministrit Kurti për mua është një deklaratë e panevojshme fare, se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë për paralajmërime të tilla, por kanë nevojë për një siguri të qëndrueshme që Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues t`i garantojë dhe t`i sigurojë në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtar”, është shprehur Çollaku.

Sipas kryeministrit Kurti, për 5 muaj, nga 30 qershori deri më 29 nëntor, janë bërë 15 sulme me qëllim të dëmtimit të Kosovës e ngjalljes së frikës.