Partia Demokratike e Kosovës, sërish ka kërkuar që organet e drejtësisë
të sqarojnë rastin e fajdeve, pas publikimit të videove ku përmendet disa herë emri i kryetarit të kësaj partie, Kadri Veseli.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, në një konferencë për media ka thënë se
afera “Spitali” është një proces i gjatë që ka filluar në vitin 2003, raporton KTV.
Sipas tij, në këtë aferë janë të përfshirë zyrtarë të LDK-së, konkretisht ish-kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri.
Por, ndaj deklaratave të Ismailit ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, duke thënë se në video-incizimet e publikuara vërehet qartë që nuk kërkohen mito e fajde për leje të ndërtimit, lokacion të ndërtimit apo për licencë të spitalit.
Sipas LDK-së, në video-incizimet e fajdeve nuk përmenden emrat e zyrtarëve të LDK-së, por të atyre të PDK-së.
Megjithatë, Ismaili nuk e ka përmendur faktin që në vitin 2009, kryeministri i atëhershëm, tash presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kishte anuluar vendimin e ish-kryeministrit, Agim Çeku, i cili e pati ndaluar ndërtimin e spitalit privat brenda hapësirave të QKUK-së.