Për të katërtën javë radhazi, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës kanë vazhduar aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen e ndërtesës dhe duke kërkuar thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit.
Këtij aksioni të premten i janë bashkuar edhe aktivistë e asamblistë të PDK-së nga Prizreni e Suhareka.
Dardan Berisha, asamblist i PDK-së në Suharekë, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për mosmbështetje të komunave
“Jemi këtu për të shprehur indinjatën tonë të thellë dhe pakënaqësitë tona të cilat po bëhen kohëve të fundit, pikërisht nga një deputet uzurpator që quhet Albin Kurti. Konkretisht jemi para objektit të qeverisë, objekt të cilin e ka uzurpuar, objekt i cili është ndërtuar mbi bazën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Por mbi të gjitha, në këtë objekt janë marrë vendime të rëndësishme për vendin, janë dhënë ide dhe janë marrë projekte të cilat e kanë zhvilluar Kosovën. Por mbi të gjitha ka pasur një buxhet më të paktë sesa sot. Ky buxhet sot nuk po shtrihet në komuna, në komunat nga vijmë ne, sepse po mundohet të centralizojë edhe komunat”, tha ai, raporton KosovaPress.
Adem Morina, që është asamblist i PDK-së Prizren, e akuzoi Kurtin për bllokim të komunave.
Edhe
4 javë aksion para Qeverisë, PDK-ja e Aleanca protestojnë sërish
“Konkretisht një bllokadë e tillë nga partia fituese e pushtetit në këtë rast, dhe nga Kurti, është e paarsyeshme dhe e panevojshme sepse po i bën dëm Kosovës, po i bën dëm qytetarëve. Dhe gjithsesi ne bëjmë ftesë dhe thirrje që duhet të krijohen institucionet dhe duhet të zhbllokohet shteti i Kosovës. Në këtë rast që e ka bllokuar Kurti, kur e dimë që para disa ditë kemi bërë vetëm një protestë nga të gjitha komunat e Kosovës, sepse nuk ka bllokuar vetëm qeverinë në këtë rast dhe institucionet, por ka bllokuar të gjitha institucionet lokale, duke përfshirë edhe komunat me bllokadën e buxhetit. Kjo është një gjë e paarsyeshme dhe është një njollë e zezë karshi edhe faktorit ndërkombëtar me të cilët ne kemi pasur një bashkëpunim jashtëzakonisht të madh për t'i krijuar këto institucione”, tha Morina.
E Genc Prelvukaj, nga Kryesia e PDK-së, u mor me telashet që sipas tij i kanë shtresat e ndryshme të shoqërisë, për fajin e Kurtit.
“Realisht është ironia kryesore që Kurti bashkë me partinë Vetëvendosje nuk e ka në fokus qytetarin, për të është e parëndësishme se një familje vazhdon ta thellojë krizën ekonomike, njerëzit s'kanë mjete pune, një fëmijë ndoshta ka bukë të pamjaftueshme në tavolinë, një polic që detyrohet të punojë punë shtesë për të kaluar muajin, minatorët që punojnë në kushte të vështira e shumë e shumë kategori të tjera të qytetarëve tonë. Por e rëndësishme për të dhe partinë e tij apo formacionin e tij politik, është shfryrja e egos në vete kundrejt oponencës politike dhe ta zgjedhë përplasjen, bllokimin institucional në vend të bashkëpunimit, në vend të kompromisit, në vend të formimit të institucioneve konform rregullës, dhe të banalizojë me një institucion apo vendin kryesor të politikës në vend”, tha ai.
Ndërsa deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj e akuzoi liderin e Vetëvendosjes për luftë të shumëanshëshme ndaj opozitës, duke përfshirë edhe metoda të ndaluara.
Edhe
PDK-ja e Aleanca sërish para Qeverisë: Kurti po e bllokon qëllimshëm shtetin
Partia tjetër opozitare, LDK, ka refuzuar t’u bashkohet PDK-së e Aleancës në protestë. Kanë refuzuar edhe gjashtë deputetët e LDK-së që kanë dalë kundër marrëveshjes që partia ka arritur me LVV-në për presidentin.
Që prej ndërprerjes së seancës konstituive më 8 gusht, kryesuesi i saj, Avni Dehari – deputet i Vetëvendosjes, nuk e ka thirrur vazhdimin e seancës brenda afatit prej 48 orësh, siç përcakton Rregullorja e Kuvendit.