Arbëri

PDK-ja akuzon Osmanin në lidhje me KQZ-në: Duke iu bindur Kurtit po e shkel Kushtetutën

Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka reaguar ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me emërimet e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjoshi ka thënë se Osmani po luan rolin e noteres dhe se ajo duke iu bindur kryeministrit Albin Kurti po e shkel Kushtetutën, duke ia pamundësuar PDK-së anëtarin e dytë në KQZ.

“Presidentja Osmani përfaqëson unitetin e popullit. Por ajo po vepron në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, nën diktatin e Vetëvendosjes dhe listës Guxo, në vend që të kujdeset për KQZ-në, ajo është vënë në shërbim të partisë në pushtet. Osmani po e luan rolin e noteres, duke iu bindur Kurtit po e shkel Kushtetutën, duke ia pamundësuar PDK-së anëtarin e dytë në KQZ”, ka thënë Gjoshi në konferencë për media. “Po tenton t’i bëjë një vend në KQZ për anëtarin e tretë të VV-së. Fjala është për Gresa Bytyqi Kelmendin, e cila ka garuar për deputete me listën Guxo. Presidentja e ka emëruar anëtarin e dytë nga VV-ja, por të njëjtin ia ka mohuar PDK-së. Kushtetuta është e qartë, por Osmani po i bindet Vetëvendosjes. Osmani dhe Kurti përmes orvatjeve në Kushtetuese po tentojnë t’ia vjedhin PDK-së mandatin që ia ka dhënë Kushtetuta. Presidentja po e shkel Kushtetutën duke mos ia njohur të drejtën e përfaqësimit të partisë boshnjake Vakat”.

https://www.koha.net/arberi/270748/presidentja-osmani-emeron-tete-anetare-te-kqz-se-per-dy-te-tjere-i-drejtohet-kushtetueses/