Komuna e Shtimes ka nisur t’i realizoi disa projekte infrastrukturore në disa lokalitete. Por, jo edhe në një pjesë në “Lagjen e Pajtimit”, ku qytetarët prej vitesh kërkojnë funksionalizimin e rrjetit të kanalizimit, ujësjellësit dhe asfaltimin e rrugëve. Në opozitë thonë se projektet kryesisht po orientohen te familjarë të kryetarit Qemajl Aliu.
Në “Lagjen e Pajtimit” në Komunë të Shtimes është duke u zhvilluar një projekt infrastrukturor. Por, jo në pjesën ku prej vitesh qytetarët kërkojnë funksionalizimin e rrjetit të kanalizimit, ujësjellësit dhe asfaltimin e rrugëve.
Qytetarët ankohen se me para të tyre u duhet të investojnë shpesh në infrastrukturë publike.
“Ne jemi qe 20 vjet këtu dhe shihet rruga këtu e pa asfaltuar sepse nuk e kanë rregulluar atë. Brenda vitit rreth 2 mijë euro i shpenzojmë për ta rregulluar rrugën me zall sepse po bëhen gropa. Krejt me buxhet tonin i bëjmë këto”, tha Avni Rashiri, banor i “Lagjja e Pajtimit”.
“Qe 11 vjet është bërë kanalizimi, por nuk është funksional, ndërkaq sa herë që ka të reshura të shiut, ujërat futen në shtëpi. Fëmijët kalojnë në shkollë për çdo ditë nëpër këtë rrugë. Po shihet se në shumë lagje të Shtimes ka përmirësime të infrastrukturës, kurse te ne nuk ka asgjë”, tha Sinan Bytyqi, banor tjetër i kësaj lagje.
Por, në lokalitetin ku jetojnë këta banorë, është duke u zhvilluar projekti i rrugës “Fazli Grajqevci”, me kosto prej 18 mijë e 500 eurosh, e në kuadër të të cilit komuna do ta rregullojë edhe një pjesë të segmentit të trotuarit në lagjen “Çamëria”.
Opozitarët thonë se projekti po zhvillohet pikërisht në pjesën e lagjes ku jetojnë familjarët e kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliu.
Po ashtu kanë përmendur edhe një varg projektesh, përfshirë asfaltim rrugësh, çerdhe publike, sallë sporti e të tjera, që janë planifikuar të realizohen në Godanc, fshatin ku ka jetuar kryetari.
“Ne në vitin e kaluar me aprovimin e buxhetit dhe aprovimin e projekteve kapitale e kemi ngritur zërin dhe atëherë sepse e kemi parë se shumë projekte që janë vendosur këtu kanë të bëjnë me familjarë dhe me njerëz që e kanë votuar subjektin politik të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ne kemi qenë kundër kësaj gjëje sepse qytetarët e Shtimes janë të gjithë të njëjtë dhe nuk duhet të bëhen selektime”, tha Rrahman Jakupi, kuvendar nga radhët e PDK-së,
E, kryetari Qemajl Aliu nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS, përkitazi me këto pretendime. Përgjigje nuk ka kthyer as zyra për informim e Komunës dhe as anëtarë të kabinetit të kryetarit Aliu.