Arbëri

PDK e LDK: Do t’i dërgojmë në Kushtetuese ligjin për KPK-në dhe atë për KPM-në

Partia Demokratike e Kosovës - PDK

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe atë të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nëpërmjet votimit të këtyre ligjeve po tentohet të kapen dhe të nënshtrohen këto institucione të pavarura.

“Përpjekjet e përsëritura të këtij pushteti për kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë si dhe kontrollimin e mediave dhe të fjalës së lirë, e morën formën e vendimit me miratimin e dy ligjeve në seancën e sotme”, është shprehur ai.

Deputeti i partisë opozitare ka shtuar se nëpërmjet dërgimit në Kushtetuese do të sigurohet “që të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.

“Prandaj, sigurisht se do të shfrytëzojmë mekanizmat kushtetues për ti dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave në mënyrë që të sigurohemi për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Ndërsa, nga LDK-ja kanë thënë se votimet e sotme shpërfaqin tendencën e kapjes antikushtetuese të institucioneve të pavarura të vendit.

“Kjo praktikë, tanimë e konfirmuar me aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, është vazhdimësi e përpjekjeve të vazhduara populliste të Albin Kurtit për hartimin e ligjeve që nuk respektojnë ekuilibrin demokratik në vend, sikurse dhe ndarjen e roleve të institucioneve të pavarura brenda Kosovës. Prandaj, që nga sot, ekipet tona punuese, kanë nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen e plotë, se sikurse në dhjetë rastet e kaluara kundërkushtetuese edhe dy ligjet e sotme do të marrin të njëjtin përfundim. Ky pushtet, po i përfundon të katër vite qeverisje, në përpjekje antikushtetuese të kapjes së institutioneve, pa ndonjë rezultat konkret e pa ndonjë zhvillim thelbësor në asnjë fushë”, thuhet në reagim të LDK-së.