Arbëri

PDK, e bindur se do t’i fitojë zgjedhjet në rundin e parë në Klinë

Kryetari i Degës së PDK-së në Komunën e Klinës, Sokol Bashota bashkë me kryetarin e kësaj partie, Kadri Veseli, kanë zhvilluar një takim me strukturat partiake në këtë komunë ku është debatuar për gjendjen aktuale në vend.

Me ketë rast, sipas një kumtese të PDK-së, janë mbi 50 persona nga subjekte të ndryshme politike dhe të rinj që zyrtarisht kanë aderuar në PDK.

Kryetari i degës së PDK-së në Klinë, Bashota, ka thënë me ketë rast se PDK-ja përgjatë këtij 10 vjeçari të qeverisjes ka punuar në mirëqenien e qytetarëve.

“Klina është model i qeverisjes në vend. Jemi bastion i PDK-së”, ka thënë Bashota, sipas të cilit dega e PDK-së është e gatshme për zgjedhjet lokale që do të mbahen ketë vit dhe të fitoj qysh në rundin e parë.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ndërkaq tha se duhet të angazhohemi fuqishëm për zhvillimin e vendit dhe detyrat që kemi marrë t’i zbatojmë me ndershmëri.

Sipas tij, vizion i PDK-së është zhvillimi ekonomik dhe prodhimi. “Në asnjë mënyrë nuk guxojmë të vetëkënaqemi, duhet të punojmë edhe më shumë për zhvillimin e vendit tonë. Jemi të përcaktuar për zhvillim ekonomik dhe prodhim që do të gjenerojmë dhe vende të reja pune”, ka thënë Veseli, i cili lavdëroi punën që ka bërë Bashota në udhëheqjen e Komunës së Klinës.