Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK e Aleanca në Kuvend, të pranishëm edhe përfaqësues të Ambasadës amerikane dhe BE-së

kuvendi amerikanet be

Foto: Driton Paçarada

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës janë paraqitur edhe sot në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës. Por përveç tyre, sot ishin prezentë edhe përfaqësues të Ambasadës amerikane dhe Zyrës së Bashkimit Evropian. 

Deputetët po kërkojnë që kryesuesi Avni Dehari të vazhdojë seancën konstituive.

Deputetja Ganimete Musliu tha se Vetëvendosje ka tendenca shtet-shkatërruese dhe se po luan me besimin dhe durimin e popullit të Kosovës.

“Do të flas jo vetëm si deputete por para se gjithash si një qytetare e këtij shteti që është marrë peng nga një parti politike me tendenca shtetshkatërruese. Kosova është marrë peng nga një parti e cila erdhi në pushtet me fjalë të mëdha. Kosova është marrë peng nga një parti e cila arriti që shpresën e qytetarëve për një jetë të mirëqenë ta keqpërdor për ambicie të veta për pushtet. Kosova është marrë peng nga një parti e cila veç mirëqenien e Kosovës nuk e ka në agjendën e saj dhe kjo parti e ka lënë vendin sot pa institucione. Kjo parti po luan me besimin dhe durimin e një populli që ka duruar më shumë sesa që duhet. Por, çdo durim e ka edhe një fund. Kosova nuk mund të pres më”, tha Musliu, raporton KosovaPress.

Ajo i bëri thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që sa më shpejt të vijnë në sallën e Kuvendit dhe ta vazhdojnë seancën për konstituim.

Kurse, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se shumica parlamentare të cilën e përbën Lëvizja Vetëvendosje, e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik e politik.

Edhe Deputetët e PDK-së e të Aleancës sërish mblidhen në Kuvend, presin konstituimin Arbëri Deputetët e PDK-së e të Aleancës sërish mblidhen në Kuvend, presin konstituimin

Sipas tij, situata është duke dalë nga kontrolli teksa parashikoi se po shkohet drejt një gjendjeje kritike që lidhet me aspektin e sigurisë në shoqëri.

“Gjendja në vend është kah agravon dhe është kah vjen në një pikë kritike që ndërlidhet edhe në aspektin e sigurisë në shoqëri, edhe në aspektin e ekonomisë që krijon vende pune dhe mbi të gjitha një krizë politike që nuk ka qenë e parë asnjëherë në historinë e demokracisë së vendit tonë. Kjo është e qëllimshme. Kjo qasje, kjo mënyrë dhe ky përkushtim e ka vetëm një qëllim dhe qëllimi është ta sjellë shtetin e Kosovës në një krizë identitare të cilën historikisht e ka kundërshtuar. Ky konstulacion politik ka qenë në anën e kundërt të historisë në kohën e Marrëveshjes së Rambujesë dhe në kohën kur NATO ka hy në Kosovë. Ky konstulacion politik ka qenë në anën e kundërt të historisë kur është shpallur Pavarësia e Kosovës. Sot, ky konstalicion politik po mundohet ta ndërtojë një tregim, një tregim i cili është i rrejshëm, kundër çdo përpjekjeje historike të kombit shqiptar në Kosovë, të krijimit të një identiteti tjetër”, tha Tahiri, raporton KosovaPress.

Që nga 8 gushti, Kuvendi i Kosovës nuk e ka thirrur më asnjë mbledhje për vazhdimin e seancës konstituive, ndërkohë PDK e Aleanca vazhdimisht po e kërkojnë një gjë të tillë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje është shprehur se pa pasur marrëveshje për president, thirrja e një seancë të tillë do të ishte parapërgatitje për zgjedhje të reja.

Foto: Driton Paçarada