Arbëri

PDK do të iniciojë mocion për shkarkimin e Bordit të RTK-së

Mocion në Kuvend për shkarkimin e bordit të RTK-së ka paralajmëruar Partia Demokratike, pasi transmetuesi publik e ka transmetuar lajmin e një mediumi boshnjak që i ka ndërlidhur dy portale të Kosovës me Serbinë. Sekretarja e Përgjithshme e kësaj partie, Vlora Çitaku, e ka akuzuar bordin se nuk u ka rezistuar presioneve politike të partisë në pushtet, ndërsa ka kërkuar që Prokuroria e Shtetit t’i hetojë edhe zyrtarët e AKI-së për shpërndarje të informacioneve

Partia Demokratike (PDK) ka paralajmëruar të shtunën se gjatë javës së ardhshme do të dorëzojë mocion në Kuvend për shkarkimin e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), pas transmetimit të lajmit të një mediumi në Bosnjë-Hercegovinës, i cili dy portale në Kosovës i ka etiketuar se kanë lidhje me Serbinë.

Sekretarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, nëpërmjet një konference për media, ka thënë se mocioni do të vërë para përgjegjësisë bordin që “nuk e ka kurajën t’i mbrojë transmetuesin publik dhe standardet e gazetarisë”.

“Ne si PDK tashmë kemi marrë nismën për shkarkimin e tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo nismë është e pandalshme, emergjente dhe në funksion të mbrojtjes së fjalës së lirë dhe lirisë së mediave. RTK është e publikut dhe nuk duhet të shndërrohet në instrument të pushtetit për të projektuar, organizuar dhe transmetuar shpifje dhe të pavërteta kundër mediave dhe kolegëve të tyre gazetarë”, ka thënë Çitaku.

Ajo e ka akuzuar RTK-në se ka dështuar që t’u rezistojë presioneve politike të partisë në pushtet, e cila “e shndërroi mediumin publik në media partiake”.

Çitaku ka kërkuar po ashtu që Prokuroria Speciale t’i hetojë zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) për shpërndarje të informacioneve.

“Vlerësojmë se përfshirja e zyrtarëve të AKI-së, ashtu siç po raportohet, duhet të hetohet nga Prokuroria Speciale sa më parë, në mënyrë që të ndriçohet e vërteta, nëse kjo vërtetohet do të përbënte një shkelje flagrante nga AKI dhe tejkalim të mandatit kushtetues dhe ligjor”, ka thënë ajo.

Çitaku i ka kualifikuar shqetësuese dhe të patolerueshme përpjekjet e vazhdueshme të drejtuara nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti për të cenuar lirinë e medias dhe të fjalës së lirë.

Lajmi që është transmetua të hënën në RTK e që ka përmendur dy portale të Kosovës që kanë lidhje me Serbinë ka ngjallur valë reagimesh në Prishtinë, ndërsa prej tij, që atëherë, është distancuar një numër i madh gazetarësh e redaktorësh të transmetuesit publik.

Sivjet, Kosova ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij. Në mesin e 180 shteteve, ajo është renditur në të 75-in, për dallim nga viti i kaluar kur ka qenë në vendin e 56-të.


Çitaku: PDK-ja do të marrë pjesë në takimin konsultues për zgjedhje

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se partia e saj ka pranuar ftesën nga presidentja Vjosa Osmani për një takim konsultues më 31 korrik dhe datës së zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë. 

Çitaku ka thënë se PDK-ja do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese. 

“E kemi obligim kushtetues e ligjor të marrim pjesë në takim. E dini se PDK-ja nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të reja të parakohshme, por ftesa e presidentes nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme, por për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta. Do të marrim pjesë aty dhe do ta themi aty qëndrimin për këtë çështje dhe datën e preferuar”, ka thënë Çitaku.