Arbëri

Pazaret për “Kalabrinë” nga 30 kate në 10 në Stacionin e Autobusëve

Prona e stacionit të autobusëve nuk do ta ketë koeficientin e ndërtimit 7 ashtu siç kishte propozuar kryetari Përparim Rama, me të cilin ndërtesat do të kishin mbi 30 kate.

Por tanimë koeficienti në këtë parcelë komunale do të jetë 3 ku do të mund të ndërtohen rreth 10 kate.

Për të arritur në këtë marrëveshje këshilltarëve komunalë iu kanë dashur 11 orë seancë.

Mospajtime kishte mes Ramës dhe opozitës për koeficientin 7 në parcelën komunale në stacionin e autobusëve.

Lëvizja Vetëvendosje në fillim kishte dy propozime, por më vonë pas një takimi me kryetarin Përparim Rama, të njëjtit ndërruan mendim.

Gëzim Sveçla nga LVV-ja në fillim të mbledhjes propozoi që plani për stacionin të hiqet tërësisht nga plani për lagjen “Kalabria”.

Për kryetarin Rama ishte i papranueshëm ky propozim, pas takimit me shefat e grupeve të partive opozitare si LVV, AAK ,AKR dhe NISMA-s zbriti edhe koeficienti.

Për kalimin e kësaj pike, Rama nuk kishte as mbështetjen e anëtarëve të partisë së tij.

Në sallë të hënën ishin vetëm Jeta Rafuna, Fitnete Bejta, Nazif Krasniqi dhe Pëllumb Bajqinovci.

Kurse PDK-ja doli nga salla në fund të mbledhjes dhe nuk votoi pro këtij plani.

Besianë Musmurati nga kjo parti thotë se ishte e papritshme se si LVV-ja dhe pjesa tjetër e opozitës e pranoi planin e Ramës.

Tutje ajo tha se nuk mund ta pranonin tjetërsimin e pronës publike.

Vërejtjet e PDK-së ishin edhe për planin rregullues për “Kalabrinë”, sipas tyre në plan nuk është i specifikuar vendi për shkolla, çerdhe dhe QMF.

KOHA ka provuar të marrë përgjigje edhe nga kryetari Përparim Rama në lidhje me hendekun e krijuar nga ai dhe LDK-ja, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Rama në fillim të mandatit iu kishte premtuar banorëve që do ta sjellë në Kuvend këtë plan para dy vjetëve.

Ka dy javë që banorët iu bëjnë presion komunarëve që ky plan të kalojë, madje në sallë ishin paraqitur të hënën me mbishkrimet si “VOTONE PLANIN” dhe “MOS NA DISKRIMINONI”.

Planin rregullues për Kalabrinë e votuan 24 asamblistë prej 26 sa ishin në sallë.

Dy javë më parë plani nuk kaloi pasi, sipas opozitës, Rama nuk ua kishte dërguar materialin me kohë në mënyrë që ata ta analizonin.