Maratona e negociatave në Bruksel dhe asnjë marrëveshje e dalë nga to nuk arritën ta bashkojnë veriun e as ta ndihmojnë shtrirjen e plotë të sovranitetit të Kosovës atje
22 vjet më parë, Mitrovica ishte një qytet, serbët kishin varrezat dhe kishën në jug, ndërsa shqiptarët varrezat dhe xhaminë shekullore në veri.
Qyteti kishte vetëm një urë e cila lidhte dy anët e Ibrit, e të tjerat ishin ura të përkohshme kryesisht për këmbësorë.
Në ditët e para pas çlirimit tanket franceze të vendosura mbi urën kryesore në Ibrit krijuan klimën e ndarjes së qytetit. Atë kohë, banorët përmes protestave tentuan që ta bashkonin qytetin, por mesazhet e politikanëve qetësuan gjakrat.
Situata nis të përkeqësohet. Në natën e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 masakrohen 10 shqiptarë në mesin e tyre fëmijë, pleq e gra, e plagosen shumë të tjerë e rreth 12 mijë të tjerë dëbohen.
Nga ajo kohë serbët krijuan një zonë të sigurt. Në hyrje të urës së lumit Ibër u vendosën roja apo siç njiheshin Rojat e Urës. Struktura paralele kujdestaronte 24 orë ndërsa shqiptarët nuk mund të kalonin.
Në 22 vjetët e pasluftës shtet veriu do të shndërrohej në një shkëndijë kujdestare. Marsi i vitit 2004 ishte njëra nga to. Atë e ndezën dyshimet që dy fëmijë ishte mbytur në lumin Ibër si pasojë e dhunës serbe.
Ngjarjet e 17 dhe 18 marsit do të rikthenin tensionimin ndëretinik me shqiptarëve dhe serbëve.
Trazirat e marsit të vitit 2004 do të përfundonin me 21 të vrarë, 19 prej tyre shqiptarë, mbi 1 mijë të lënduar, shtëpi e objekte fetare të djegura.
Veriu edhe sot mbetet sfiduesi i shtetësisë së Kosovës.
Plani i Ahtisarit, që ishte rezultat i negociatave mbi dyvjeçare mes Kosovës dhe Serbisë (2005-2007) çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 .
Akt ky që solli trazira të reja në veri. U dogjën pikat kufitare, u sulmuan gjykatat në veri të Mitrovicës dhe e u larguan punonjësit nga atje.
Në përpjekjet e para të institucioneve të Kosovës për të rimarrë nën kontroll pikat kufitare veriore më 26 korrik të vitit 2011, mbeti i vrarë polici i njësisë speciale, Enver Zymberi.
7 vjet më vonë, në mëngjesin e 27 majit një aksion tjetër kundër kontrabandës do të ishte tentativa e radhës për të shtrirë autoritet nga institucionet e Kosovës.
Në këtë aksion në pranga përfunduan 19 zyrtarë policorë derisa si pasojë e konfrontimit, një pjesëtar i policisë së Kosovës u plagos me armë zjarri e disa të tjerë morën lëndime të lehta trupore.
Deri në vitin 2016, Mitrovica mbeti qytet i barrikadave. Por, pas presioneve të shumta ndërkombëtare, u arrit që të largohej barrikada e vendosur mbi urën e lumit Ibër, e ashtuquajtura “Parku i Paqes”.
Heqja e saj megjithatë, nuk do të sillte bashkimin mes veriut e jugut. Vitet në vazhdim do të krijonin edhe më shumë ndarje fizike dhe do të sillnin shumë konflikte mes shqiptarëve dhe serbëve.
Qindra shqiptarë banorë të veriut edhe sot jetojnë të zhvendosur në jug, pas dëbimit gjatë dhe pas luftës.
Njëri ndër ta është edhe Ramadan Istrefi, i cili 22 vjet pas luftës e 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë ende e pret ditën e kthimin në tokën e tij në lagjen kroi të Vitakut.
“I kam 22 vjet që jam dalë prej shtëpisë time në lagjen Kroi i Vitakut e kam krejt pasurinë atje edhe që 22 vjet në banesa të huaja, e tash po shpresoj se nashta ka m’u bo ma mirë. 300 shtëpi janë ndërtuar afër shtëpisë sime dhe janë ndërtuar 11 ndërtesa 8 e 10-katëshe me serbë. Nëse kthehen banorët qysh kemi qenë atëherë, kanë me lëvizë lirshëm, të gjithë po shpresojmë se do të kthehemi atje”, ka thënë ai.
Që nga viti 2013, sipas Këshillit të veriut, asnjë shtëpi nuk është arritur të ndërtohet derisa rreth 150 shtëpi presin të rindërtohen.
Kryetari i këtij këshilli, Nazmi Ismajli, thotë se lufta për banorët e veriut nuk ka mbaruar ende.
“Për 20 vjet ka mbaru lufta por ajo nuk ka mbaru në veri. Tash e shohim një relaksim të situatës, por banorët e veriut bredhin nëpër podrume e me qira nëpër jug e ata të veriut as nuk paguajnë as ujë as rrymë. Në veri mungojnë edhe 300 shtëpi për t’u ndërtu,. këta banorë nuk kanë rrugë tjetër si t’ia bëjnë. Me sa kom dëgju, ka fillu edhe ndërtimi i grupit të dytë të atyre shtëpi në veri nëse nis edhe ajo, atëherë shqiptarët nuk mund të kthehen. Qeveria që është përgjegjsë, duhet të ndërmarrë një veprim të na tregojë nëse kemi ku të kthehemi ose të sistemohen diku banorët ose le të na tregojnë se s’mundemi me u kthy asnjëherë. Nuk është lëvizje e lirë e nëse ti s’mundesh me u kthy në shtëpi tënde”, është shprehur ai.
Jeta në veri nuk ishte e lehtë gjatë tërë këtyre viteve as për serbët e veriut.
Gazetari dhe analisti serb, Branislav Krstic, thotë se përditshmërinë e plotë politike në Mitrovicën e Veriut e kontrollojnë ekskluzivisht zyrtarët nga Beogradi përmes vartësve të tyre në Kosovë.
“Fakt është se serbët janë pengje të regjimit të Beogradit, një regjim ky që, thënë kushtimisht, ndjek interesat e veta që nuk është i interesuar aq për zhvillimin e shoqërisë kosovare dhe as nuk është aq i interesuar për rimëkëmbjen e bashkësisë serbe. Rrjedhimisht, serbët në veri të Kosovës janë vetëm monetë kusurimi në duart e Aleksandar Vuçiqit, dhe edhe nëse ndodh ndonjë incident i karakterit ndëretnik, atëherë ai sigurisht është me lejen dhe pajtimin e “Listës Serbe”, përkatësisht Beogradit zyrtar”, ka deklaruar Krstic.
Sipas Krsticit, veriu i vendit asnjëherë nuk arriti të futej në kontroll të autoriteteve të Kosovës, pasi që nuk pati interes as nga vetë ata që udhëhoqën vendin deri më tani.
“Problemi kryesor i liderëve të institucioneve të Kosovës, përshtypja ime është se nuk ka qenë as interesi i qytetarëve, por si të mbesin në pushtet dhe në këtë dëshirë të tyren madje edhe i kanë shfrytëzuar votat serbe, pra nuk ekziston një interes i zhvillimit të shoqërisë kosovare, shtetit të Kosovës”, ka vazhduar ai.
Krimi i organizuar e kontrabanda në veri vazhdojnë të jenë një kërcënim për progresin në Kosovë.
Njëri ndër emrat më të njohur në veri është Zvonko Veselinovic, i cili konsiderohet si njëri ndër krerët më të rëndësishëm të krimit të organizuar serb në veri të Kosovës.
Veselinovic ishte i përfshirë edhe në aktet e dhunës kundër ushtarëve ndërkombëtarë të KFOR-it, te barrikadat në Jarinjë dhe Jagnenicë në vitin 2011.
I afërt me Veselnoviqin është edhe Milan Radojciq, i dyshuar për krim të organizuar dhe një sërë veprash të tjera penale. Radojciq vazhdon të jetë arrati si person i dyshuar në vrasjen e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq.
Kjo pjesë e Kosovës mospajtime pati edhe sa i përket vijës administrative të Mitrovicës Veriore dhe asaj Jugore.
Maratona e negociatave në Bruksel dhe asnjë marrëveshje e dalë nga to nuk arritën ta bashkojnë veriun e as ta ndihmojnë shtrirjen e plotë të sovranitetit të Kosovës atje.