Arbëri

Pasurinë do të obligohen ta deklarojnë edhe mjekët e profesorët universitarë

Ministria e Drejtësisë ka finalizuar një projektligj, me të cilin do të obligohen kategori të reja që ta deklarojnë pasurinë, përfshirë mjekët dhe profesorët universitarë. Në Ministri thanë se shumë ndryshime janë bërë me qëllim për të evituar abuzimin, keqpërdorimin e parasë publike dhe konfliktin e interesit. Por në shoqërinë civile kanë disa vërejtje në lidhje me përmbajtjen e Projektligjit

Ministria e Drejtësisë ka ridizajnuar bazën ligjore që lidhet me deklarimin e pasurisë. Në këtë institucion e kanë definuar qëllimin e kësaj politike të re, në një projektligj që është finalizuar të hënën, e sipas të cilit obligohen ta bëjnë deklarimin edhe një kategori zyrtarësh publikë.

“Projektligji ka për qëllim përcaktimin më të qartë të procedurave të deklarimit të pasurisë, riklasifikimin e pozitave që duhet të deklarojnë pasurinë, jo vetëm nga cilësimi i pozitave të larta publike, por edhe nga cilësimi i secilës pozitë ku ka potencial për abuzim, keqpërdorim të parasë publike dhe konflikt të interesit, rritjen e bashkëpunimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit me institucionet relevante në lidhje me shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve në lidhje me deklarimin e pasurisë, rritjen e numrit të zyrtarëve që i nënshtrohen kontrollit të plotë çdo vit, si dhe ashpërsimin e masave ndëshkimore ndaj personave që nuk e deklarojnë pasurinë”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Drejtësisë.

Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave ka përshirë edhe 11 kategori zyrtarësh publikë, të cilët janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e tyre.

Aty janë edhe mjekët që punojnë në institucionet publike shëndetësore në nivelin dytësor dhe terciar, e edhe profesorët e universiteteve publike.

Po kështu, edhe: ekspertët mjekoligjorë dhe të psikiatrisë forenzike; auditorët e brendshëm, si dhe auditorët në Zyrën kombëtare të auditimit; inspektorët policorë; inspektorët e nivelit qendror dhe lokalë; zyrtarët e prokurimit publik në të gjitha institucionet publike të nivelit lokal dhe qendror dhe në ndërmarrjet publike të nivelit lokal dhe qendror; ekspertët e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik; zyrtarët e administratës në Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, prokurori dhe gjykata; zyrtarët doganorë, inspektorët tatimorë, si dhe hetuesit policorë; si dhe udhëheqësit e njësive dhe zyrtarët që kryejnë detyra hetimi, inspektimi, licencimi, verifikimi apo certifikimi.

Në shoqërinë civile thanë se ka çështje që janë kundërshtuar në lidhje me ndryshimet që parashihej të përfshiheshin në këtë projektligj, por te cilat nuk janë marrë parasysh nga grupi punues.

Megi Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL, thotë se me përfshirjen e kategorive të reja do të ketë ngarkesë për Agjencinë Kundër Korrupsionit, tek e cila raportohet pasuria.

“Një prej këtyre çështjeve ka qenë përfshirja edhe e 20 mijë zyrtarëve të tjerë në listën e personave që obligohen ta deklarojnë pasurinë (pra mjekëve, profesorëve dhe asistentëve universitarë). Kjo çështje është kundërshtuar fuqimisht, duke qenë se përfshirja e këtyre subjekteve e rrezikon pamundësimin e zbatimit të ligjit në praktikë, për shkak se Agjencia ka mungesë të theksuar të kapaciteteve dhe burimeve njerëzore”, thotë Demolli. “Alternativë më e mirë do të ishte të shtohej kontrolli dhe verifikimi i deklarimeve të pasurisë për personat që aktualisht detyrohen ta deklarojnë atë, e jo të vështirësohet edhe më tej puna e Agjencisë. Pra, në këtë rast efektet mund të shihen si tejet negative”.

Por në Ministrinë e Drejtësisë thonë se pasuria e shumë kategorive, përfshirë mjekët dhe profesorët universitarë, nuk do të publikohet, por se informacionet për të do të jenë të qasshme vetëm për Agjencinë Kundër Korrupsionit. Prandaj nuk shohin arsye për pakënaqësi.

“Ne besojmë se profesorët universitarë dhe mjekët e nivelit sekondar dhe terciar që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës nuk do të kenë asgjë të keqe në deklarimin e pasurisë, pasi që e mira e përgjithshme do të dominojë mbi ndonjë rast individual që mund të jetë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë. “Nëse ndonjë zyrtar publik ka diçka për të fshehur, besojmë se kjo nuk do të kontribuonte në të mirën e përgjithshme dhe në avancimin e mëtejmë të sektorit të shëndetësisë dhe të arsimit”.

Në shoqërinë civile përmendin edhe çështje të tjera, për të cilat nuk ndajnë mendim të njëjtë me Ministrinë.

Megi Demolli thotë se organizata që përfaqëson, por edhe të tjera, kanë rekomanduar moslejimin e pranimit të dhuratave të rastit nga zyrtarët publikë.

“Rekomandimi nuk është marrë parasysh”, thotë ajo. “Përse ka nevojë zyrtarët të pranojnë dhurata për kryerjen e funksioneve që e kanë obligim t’i kryejnë, duke marrë parasysh edhe mundësinë e madhe të keqpërdorimit”.

Bazuar në Projektligj, zyrtarët mund të pranojnë dhurata deri në vlerën 50 euro, por jo më shumë se në vlerën 200 euro brenda një viti.

Si çështje pozitive, Demolli ka përmendur krijimin e mundësisë elektronike të deklarimit të pasurisë. Për të ka thënë se e lehtëson shumë procesin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë.

Me Projektligj, Agjencisë Kundër Korrupsionit është paraparë t’i ndërrohet emri në Agjenci për Parandalimin e Korrupsionit, dhe ky institucion do ta ketë mandat të bëjë edhe kontrollin e plotë të pasurisë, e edhe të shqiptojë gjoba deri në shumën 500 euro.