Arbëri

Pasuria e liderëve opozitarë

Memli Krasniqi kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë deklaruar pasurinë për vitin që shkoi, sipas publikimeve të deklarimeve të pasurisë të premten nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Memli Krasniqi - PDK

Si pasuri të paluajtshme, Krasniqi ka deklaruar një banesë me vlerë 120 mijë, të cilën thotë se e ka ndërruar me banesën paraprake. Ka një shtëpi të përbashkët me bashkëshorten, e cila ka vlerën 180 mijë euro. Shtëpia, sipas deklarimit të Krasniqit, është blerë me kredi, kursime dhe kontribut familjar.

Pasuri të luajtshme e ka deklaruar një veturë të tipit Volkswagen në emër të bashkëshortes. Vetura kap vlerën 22 mijë euro.

Kryetari i PDK-së posedon edhe numër të madh kriptovalutash. Ka Bitcoin që vlerën aktuale e ka 26 mijë euro, Ether me vlerë 1.650 euro, Binance Coin me 290 euro e të tjera kriptovaluta me vlerë modeste. Krasniqi posedon edhe NFT (non-fungible token), si vijon: FancyBears Metaverse x4, Bad Bears Genesis x2, Etheral Apes x2, Laid Back Llamas x1, Tubby Cats x1, Genzee x1, Bricktopians x1, Imnium x2, Yat x1, Shiba Punks x1, World of Yamaloka x4.

Pak mbi 3 mijë euro, Krasniqi i ka deklaruar se i ka në bankë si para të gatshme.

Është në kredi prej 65 mijë eurosh për blerjen e shtëpisë. 30 mijë euro të tjera kredi, kryetari i PDK-së i ka deklaruar për rinovimin e shtëpisë.

Të ardhurat vjetore të Krasniqi janë afro 19 mijë euro nga Kuvendi i Kosovës. Si kryetar i PDK-së, nuk merr para. Bashkëshortja e tij ndërkohë ka afro 14 mijë euro të ardhura vjetore.

KËTU mund ta shihni pasurinë e Krasniqit


Lumir Abdixhiku – LDK

Abdixhiku ka deklaruar një shtëpi me vlerë 200 mijë euro në emër të përbashkët me bashkëshorten. Thotë se e ka blerë me kredi dhe kursime. Ka edhe një shtëpi të trashëguar në emër të tij me vlerë 150 mijë euro, dhe po ashtu një tok të trashëguar me vlerë 90 mijë euro.

Ka deklaruar një veturë Alpina me vlerë 25 mijë euro.

Abdixhiku i ka deklaruar 10.600 euro para të gatshme në bankë.

Ka overdraft prej 6 mijë eurosh në emër të tij, ndërsa 32.500 euro është kredia në emër të bashkëshortes së tij për rinovim të shtëpisë, sipas deklarimit të kryetarit të LDK-së. Ka edhe një kredi të përbashkët me vlerë 41.602 euro.

Abdixihiku ka thënë se merr të ardhura vjetore 18.591 euro nga Kuvendi dhe 24 mijë euro nga kolegji “Riinvest” ku punon si ligjërues. Ka marrë edhe 3.600 euro nga bursa “CERGE-EI”. Bashkëshortja e tij ka afro 13 mijë euro të ardhura vjetore.

KËTU mund ta shihni pasurinë e Abdixhikut


Ramush Haradinaj – AAK

Haradinaj ka konsiderueshëm pasuri të paluajtshme. Ka deklaruar një shtëpi me vlerë 330 mijë euro, një shtëpi tjetër me vlerë 270 mijë euro në emër të përbashkët me bashkëshorten, një tokë me vlerë 75 mijë euro, një truall me vlerë 27.300 euro, një shtëpi me vlerë 202 mijë euro, një shtëpi me vlerë 340 mijë euro dhe një vilë me vlerë 120 mijë në emër të përbashkët. Vetëm një nga këto pasuri, kryetari i AAK-së ka deklaruar se e ka blerë me kredi.

Ka deklaruar një veturë BMW me vlerë 8 mijë euro dhe një Cadillac me 19 mijë euro.

Haradinaj 50 për qind të aksioneve në shoqërinë tregtare “HCC sh.p.k”, dhe 50 për qind të tjera në emër të përbashkët.

Si para të gatshme, Haradinaj i ka deklaruar 5.790 euro që vijnë nga qiraja dhe paga.

Si deputet i Kuvendit, Haradinaj merr 18.570 euro të ardhura vjetore, 2.700 euro si invalid i luftës, 37.288 euro nga qiraja e shtëpisë, 12 mijë euro i ka marrë huazim nga kompania “HCC sh.p.k”. Bashkëshortja e tij ka 48.500 euro të ardhura vjetore.

KËTU mund ta shihni pasurinë e Haradinajt