Lideri i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinja, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit pasuri të paluajtshme në vlerë mbi 1 milionë euro.
Disa nga pronat e deklaruara janë vetanake e disa janë deklaruar si të përbashkët.
Haradinaj ka deklaruar një shtëpi banimi me sipërfaqe 950 metra katror në vlerë 300 mijë euro, të cilën e ka të lëshuar me qira. Shtëpia është ndërtuar në vitet 2001-2002, ndërsa Haradinaj ka deklaruar se është ndërtuar me mjete vetanake dhe me ndihmë nga bashkëluftëtarët.
Ndërkohë ka deklaruar po ashtu shtëpinë familjare, Kullën e Haradinajve, në vlerë 270 mijë euro, që ka thënë se është ndërtuar nga mjetet e përfituara nga shitja e pronave të mëhershme, ndërsa është deklaruar si pronë e përbashkët. Po ashtu pronë e përbashkët është deklaruar edhe një tokë kodrinore prej 200 hektarë, në vlerë 75 mijë euro që është blerë në privatizim në vitin 2009.
Haradinaj ka deklaruar si pronë të veten një tokë 21.50 ari që ka thënë se është blerë në vitin 2005 për 27.300 euro.
Ndërkohë e ka deklaruar edhe një shtëpi banimi prej 500 metra katror të blerë në vitin 2016 për 202 mijë euro. Haradinaj ka deklaruar se është blerë me kredi dhe se vlera është në ndërtim.
Po ashtu në pasuri të paluajtshme të Haradinajt figuron edhe një banesë 213 metra katror, e blerë dhe e paguar pjesërisht në gusht të vitit 2017 në vlerë 70 mijë euro, në vlerë të ndërtimit.
Ndërkohë ka deklaruar ede një villë 405 metra katror e blerë në prill të vitit 2019 për 120 mijë euro. Këtë e ka deklaruar pronë të përbashkët.
Po ashtu ka deklaruar veturë të bashkëshortes në vlerë 8000 euro.
Para të gatshme Haradinaj i ka deklaruar se i ka në bankë 19.108 euro në një llogari dhe 4729 euro në një llogari tjetër. Ndërsa bashkëshortja i ka para të gatshme 29.146 euro.
E po ashtu Haradinaj ka treguar se ka kredi në Raiffeisen në vlerë 118.032 euro për 180 muaj, po ashtu se paguan tatim mbi të hyra 1321.10 euro në muaj për shtëpinë që e ka të lëshuar me qira, e po ashtu ka detyrim financiar 20 mijë euro për banesën në Golem të Kavajës.
Të hyra vjetore Haradinaj ka deklaruar se ka marrë 36.733 euro nga qiraja e shtëpisë dhe 2700 euro nga pensioni invalidor. Ndërkohë bashkëshortja e tij 7920 euro nga RTK-ja, 12 mijë euro nga ELSIG.
Ndërkohë ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë afro 435 mijë euro.
Një banesë 120 metra katrorë që e ka vlerësuar 135 mijë euro e që ka thënëse është blerë me paga e mëditje nga viti 2000 deri 2005.
Një banesë 65 metra katrorë në vlerë 95 mijë euro që ka thënë se është blerë me paga e mëditje nga viti 2000 deri 2003 dhe një tokë 20.60 ari e blerë nga viti 2017 deri më 2020, ku është ndërtuar edhe një shtëpi malore. Vlerën totale të tokës e shtëpisë e ka deklaruar 204.716 euro.
Pasuri të luajtshme e ka deklaruar një veturë të bashkëshortes në vlerë 9500 euro të blerë në vitin 2020.
Sa i përket parave të gatshme. Hoxhaj ka deklaruar se në llogari bankare ka 7818.49 euro, ndërsa bashkëshortja e tij 8739.01 euro.
Sa i përket të hyrave vjetore Hoxhaj ka deklaruar se ka marrë nga Kuvendi i Kosovës 20.727 euro, ndërsa nga mëditjet për ligjëratat e mbajtura në universitete të SHBA-së, John’s Hopkins dhe St. John’s 2759.47 euro.
Po ashtu nga UBT ka deklaruar se ka inkasuar të hyra vjetore 7848 euro. Hoxhaj ka treguar se në UBT më nuk realizon paga nga fundi i vitit 2020.
Bashkëshortja e tij nga puna në UP ka inkasuar të hyra vjetore prej 15.259 euro.
E kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë 440 mijë euro. Një nga to është pronë e përbashkët e dy janë të trashëguara nga prindërit e gjyshërit.
Abdixhiku ka deklaruar një shtëpi 214 metra katror të blerë në vitin 2014 me kursime e kredi bankare në vlerë 200 mijë euro.
Një shtëpi të trashëguar nga prindërit 200 metra katror në vlerë 150 mijë euro, si dhe një tokë pune, 1.5 hektarë, të trashëguar nga gjyshërit në vlerë 90 mijë euro.
Sa i përket pasurisë së luajtshme ka deklaruar një veturë të bashkëshortes të markës Mercedes të blerë në vitin 2019 në vlerë 25 mijë euro.
Po ashtu i ka deklaruar se i ka në bankë para të gatshme 8572 euro, ndërsa bashkëshortja i ka 1953 euro.
Sa i përket detyrimeve financiare ka thënë se ka kredi në vlerë 36 mijë euro që ka marrë për blerjen e veturës dhe shpenzime tjera. Si dhe overdraft në vlerë 6000 euro.
Për të hyra vjetore i ka deklaruar 38.483 euro. Nga Kuvendi i ka deklaruar për janar 2020 pagë 1437 euro. Nga Qeveria e Kosovës për periudhat shkurt – qershor 2020, 5450 euro. Nga Kolegji “Riinvest” 17.933 euro të hyra vjetore nga janari deri dhjetor 2020. Nga Kolegji “AAB” nëntor – dhjetor 2020 në vlerë 1732 euro.
Honorar nga Sbunker 570 euro, bursë nga Cerge-ei 6200 euro dhe ka tërhequr nga Trusti 5125 euro.
Ndërsa bashkëshortja pagë vjetore 7870 euro dhe nga Trusti 726 euro.