Arbëri

Pasi KOHA raportoi për rrjedhjen e pyetjeve, anulohet testi i konkursit për infermierë në Lipjan

Testi me shkrim i konkursit për pranim të shtatë infermierëve në QKMF të Lipjanit është anuluar, një ditë pasi KOHA ka raportuar se pyetjet e testit ishin shpërndarë në një grup një ditë para se ai të mbahej.

Testi ishte mbajtur më 28 tetor.

Komisioni përzgjedhës e ka arsyetuar vendimin e anulimit të testit, me “gabime teknike” që janë paraqitur.

“Anulimi i testit është i bazuar sipas rekomandimit të kryesuesit të Komisionit, pasi janë paraqitur disa gabime teknike gjatë testit me shkrim, gjatë procedurave të testimit me shkrim dhe për këtë arsye anulohet procesi i testit me shkrim i mbajtur më datë 28.10.2023”, është thënë në arsyetim.

E dega e Lëvizje Vetëvendosje në Lipjan, ka thënë se publikimi i djeshëm i rrjedhjes së pyetjeve është vetëm “shpërfaqje e realitetit të punësimeve të orkestruara paraprakisht nga ekzekutivi i Komunës së Lipjanit”. Ka kërkuar që prokuroria t’i nisë hetimet dhe që drejtori i Shëndetësisë për Lipjan, Shkelzen Hajdini, të japë dorëheqje.

“Asgjë e re nga praktika e vjetër e keqpërdorimeve, familjarizmit e klientelizmit. E vetmja gjë e re, është rrjedhja e testit, duke ua prishur planin: së pari caktohet kush do të punësohet, pastaj shpallet konkursi. E njëjta metodë zbatohet kudo në Lipjan, në secilin sektorë, pa dallim. Të bindur se gjithçka kanë nën kontroll, kryetari Imri Ahmeti jep zotimin kush do të pranohet, pastaj drejtori i Shëndetësisë ekzekuton urdhrin përmes Komisionit që ai emëron, dirigjon dhe kontrollon. Padyshim, rrjedhja e testit ka dështuar krejt aksidentalisht planin. Mbase përvoja e gjatë dhe e madhe që kanë krijuar me punësime klienteliste sa ka bërë që t'iu bjerë kujdesi. Është e kotë përpjekja për t'u fshehur. Skandali ka shpërfaqur secilin, nga Komisioni deri te drejtori e kryetari i Komunës. Prandaj, edhe hetuesia e prokuroria e kanë të lehtë ndërmarrjen e veprimeve për t'i nxjerrë para përgjegjësisë. Dorëheqja e drejtorit për Shëndetësi është e domosdoshme, sikurse që prokuroria duhet të fillojë hetimet në tërë zinxhirin e vendimmarrësve”, është thënë në reagim.