Arbëri

Rreth 300 turistë kosovarë nuk kanë mundur ta kalojnë lumin e Shalës

Në liqenin e Komanit dhe Fierzës janë ndaluar të lundrojnë varkat pa liçencë, e të cilat edhe janë bllokuar nga Policia Kufitare e qarkut të Kukësit në portin e Fierzës. Kjo ka bërë që mbi 300 turistëve, kryesisht nga Kosova, të mos u mundësohet lundrimi me destinacion lumin e Shalës apo Valbonën, në pritje deri në zgjidhje të situatës. Varkat janë ndaluar pasi nuk kishin dorëzuar dokumentet për ushtrimin e aktivitetit, që ishin kërkuar para 2 ditëve

Pas tragjedisë në Himarë, ku ish-shefi i komisariatit Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia, janë marrë masa për lundrimin e mjeteve jo vetëm në det, por edhe në liqene.

Në liqenin e Komanit dhe Fierzës janë ndaluar të lundrojnë varkat pa liçencë, e të cilat edhe janë bllokuar nga Policia Kufitare e qarkut të Kukësit në portin e Fierzës. Kjo ka bërë që mbi 300 turistëve, kryesisht nga Kosova, të mos u mundësohet lundrimi me destinacion lumin e Shalës apo Valbonën, në pritje deri në zgjidhje të situatës. Varkat janë ndaluar pasi nuk kishin dorëzuar dokumentet për ushtrimin e aktivitetit, që ishin kërkuar para 2 ditëve.

Vetëm tragetet dhe anijet ishin kujdesur që të dorëzonin dokumente në Policinë Kufitare të Kukësit.

Gani Zeneli, drejtor i Kufirit dhe Migracionit në qarkun e Kukësit që mbulon edhe Tropojën, i tha KOHËS se janë bllokuar mjetet që nuk kanë dokumente, ndërsa bëri të ditur se vijon lundrimi i trageteve dhe anijeve që kanë paraqitur dokumentet në Policinë Kufitare.

Zeneli sqaroi se vetëm tragetet dhe anijet kanë paraqitur dokumentet. Ndërsa, mjetet e tjera lundruese që kryesisht nuk përmbushin standardet ligjore për lundrim, nuk do të lejohen të dalin në Fierzë dhe Koman deri në plotësimin e standardeve dhe dokumentacionit. Ato do mbahen të ankoruara në molin e Fierzës.

“Si në gjithë Shqipërinë po ushtrohen kontrolle në ujërat territoriale për mjetet e peshkimit dhe mjetet e transportit të udhëtarëve. Kontrolli vazhdon pa ndërprerje... Po ushtrohen kontrolle në Koman dhe zona të tjera. Ata që janë bllokuar nuk kanë paraqitur dokumente. Subjektet dhe personat që ushtrojnë këtë aktivitet janë njoftuar dy ditë më parë që të paraqesin dokumentet në Policinë Kufitare. Subjektet që i kanë paraqitur janë vetem tragetet dhe anijet”, ka thënë ai. “Ato janë verifikuar, kanë rezultuar konform ligjit, janë lejuar të dalin në lundrim. Të tjerët nuk lejohet të dalin, si në Fierzë ashtu dhe në Koman”.

Drejtor i Kufirit dhe Migracionit në qarkun e Kukësit ka thënë se poseduesit e këtyre mjeteve duhet të disponojnë leje për drejtim të tij kur është varkë me motorë, e po kështu edhe licence për ushtrim aktiviteti.

“Pra kush kapet në lundrim gjobitet. Të tjerët mbahen të ankoruara deri në plotësim e dokumentacionit”, ka thënë drejtori Zeneli.

Nderkaq, për 4 ditë policia kufitare në Shqipëri ka bllokuar 200 mjete lundruese në detin Adriatik dhe Jon nga veriu në jug, të cilat po kalojnë në filtrin e dokumentacionit ligjor për t’u rikthyer në det. Mjetet lunduruese motorike të bllokuara në bregdetin e Vlorës nuk janë rikthyer as të dielën. Ato vazhdojnë të jenë bllokuara në molin e Porto Palermos.

Pas ngjarjes së rëndë në Himarë ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia, edhe policia e Shkodrës nuk lejon pronarët e kompanive të cilët janë të licencuar si subjekt privat të nxjerrin mjetet motorike në ujë në plazhin e Velipojës dhe në liqenin e Shkodrës.

Pas kësaj situate, pronarët kanë reaguar duke deklaruar se kanë 14 vite në këtë aktivitet dhe se ky moslejim pa asnjë shkresë zyrtare është i papranueshëm, pasi ato paguajnë taksa si biznes, ndërsa sipas tyre në plazhin e Velipojës nuk është regjistruar asnjë incident, qoftë dhe minimal. Ne këtë plazh operojnë 7 kompani private ndërsa ka pushues tradicionalë të cilët kanë blerë prej kohesh motorë uji për t’i përdorur gjatë pushimeve.

E mitura Joanda Avdia ishte duke u larë në det kur është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Drejtuesi i gomones ishte shefi i policimit në komunitet në Elbasan, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e perjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia. Nderkaq, është përjashtuar nga policia i gjithë zinxhiri komandues i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit të qarkut Vlorë.