Arbëri

Pas shkarkimit të Sinanit, Kuvendi i Preshevës zgjedh për kryetar Arifin

Shqiprim Arifi zgjidhet kryetar i Preshevës

Shqiprim Arifi ka arritur që ta rrëzojë nga pozita e kryetares së Preshevës, Ardita Sinanin, për t’u vendosur në postin e saj po të njëjtën ditë.

20 asamblistë nga 38 sa i ka Kuvendi Komunal i Preshevës votuan të hënën për ta ndërruar kryetarin e Komunës.

Pasi mori pozitën, kryetari i ri ka falënderuar partnerin e koalicionit, Lëvizjen për Reforma të Sami Salihut, që ia mundësoi formimin e Qeverisë lokale. E Salihu ka shprehur shpresën se qëndrimi i Arifit në opozitë i ka shërbyer për të reflektuar.

“Këtu inkludoj gjithashtu normalisht edhe partnerin koalicionar, me të cilin e kemi pasur një shkëputje jo të natyrshme e me të cilin e kemi bërë një bashkangjitje të natyrshme”, tha Arifi.

“Thonë që politikani i vërtetë është atëherë kur e ka kalu opozitën, uroj që kjo pjesa e opozitës, z. Arifi t’ju ketë shërbyer me një reflektim të thellë”, tha Salihu.

Të dyve u është përgjigjur tashmë ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

“Sot, pasi dështuam kolektivisht duke mos arritur të zgjedhim asnjë deputet, në kohën kur pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve ka marrë përmasa të tmerrshme, në kohën kur qytetarët tanë presin nga ne përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve të tyre të shumta ekzistenciale, dy njerëz kanë vendosur ta shkarkojnë pushtetin komunal në Preshevë: Sami Salihu dhe Shqipërim Arifi”, tha Sinani.

Përndryshe, para se të fillonte seanca e Kuvendit Komunal të Preshevës me qëllim shkarkimin e Sinanit e ngarkimin e Arifit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar për takim liderët politikë të Luginës së Preshevës.

Në një kumtesë për media të lëshuar nga Zyra e kryeministrit, thuhet se Kurti nuk e mbështet shkarkimin e Ardita Sinanit, pasi përçarja e ndarja, sipas Kurtit, janë gabim.

E Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, e ka përshëndetur interesimin e Qeverisë së Kosovës për çështjet e brendshme të Luginës së Preshevës.

“Unë besoj që kjo është hera e parë që drejtpërdrejt kryeministri i Republikës së Kosovës ka shprehur interes për çështjet e brendshme të Luginës së Preshevës, besoj që ka bërë mirë”, deklaroi Mustafi.

Ndaj këtyre zhvillimeve ka reaguar edhe ish-deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili ka thënë se “mbetet populli ai që më së miri e di peshën e hipokrizisë”.